“Dita e Gështenjës” në Deçan, Haradinaj kujton ditët si nxënës kur mblidhte gështenja
Lexohet për: 4 min.
312652002_3363220017253805_2862655696941371158_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Me manifestime kulturore, këngë e valle tradicionale, Komuna e Deçanit ka organizuar festën tradicionale “Dita e Gështenjës”.

Në këtë aktivitet u ekspozuan piktura e produkte të ndryshme tradicionale me qëllim të promovimit të vlerave tradicionale dhe gështenjës.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se kjo festë po bëhet tradicionale, derisa shtoi se gështenja në të kaluarën i ka shërbyer dobisë ekonomike.

"Po shndërrohet në një ditë tradicionale që është një nderim e falënderim për frutën e gështenjës që dikur i ka shërbyer dobisë ekonomike të familjeve tona e përtej këtij organizimi tradicional janë disa aksesorë shumë të rëndësishëm për qytetin tonë, si panairi i produkteve vendore, bujqit, fermerët e njerëzit që merren më këtë biznes e deri te tavolina ku servohen ushqimet tradicionale të kësaj zone... Kjo traditë do të vazhdojë dhe në të ardhmen do të jetë edhe me më kompetencë të organizuar", tha Ramosaj.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, tha kujtoi kohën kur si fëmijë ka mbledhur gështenja, derisa shtoi se nuk ka qenë aq e lehtë t'i mbërrijnë.

"Nuk është vetëm një pemë, por është diçka mjaft e respektuar në këtë zonë e pastaj i bashkohet kësaj edhe kuzhina tradicionale e kësaj treve, por edhe piktorët e artistët që vinë dhe e nderojnë këtë ngjarje. Edhe unë jam si qytetar i kësaj treve, kur kam qenë në shkollë të mesme në këtë kohë u bashkonim dhe shkonim të merrnim gështenja. Nuk ka qenë lehtë t'i mbërrijmë sepse lisat e mëdhenj, por aq sa kemi marrë ka qenë e mrekullueshme...I bënim vargje dhe ka qenë krenari kush e ka vargun me të gjatë me gështenja, ka qenë e mrekullueshme", tha Haradinaj.

Drejtoresha e Institutit të Trashëgimisë Kulturore në Pejë, Shpresa Tolaj-Gjonbalaj tha se Deçani përveç që njihet si vatër e trimërisë, përmban edhe spektër të gjerë të potencialeve natyrore.

Gjonbalaj tha se festa e gështenjës ka tejkaluar përmasat e organizimit lokal, derisa shtoi se krahas ekspozimit të gështenjës, është rasti të shohin të prezantuara edhe eksponentë tjerë kulturorë.

"Nuk është rastësi që Dita e Gështenjës të shënohet pikërisht në Deçanin e qëndresës kombëtare, i cili përveç që shquhet si vatër e trimërisë, krenarisë e bujarisë, përmban edhe spektër të gjerë të potencialeve natyrore, produkteve të veçanta bujqësore dhe trashëgimi të pasur kulturore, materiale e shpirtërore... Festa e gështenjës sot ka tejkaluar përmasat e organizimit lokal dhe është shndërruar në ngjarje kulturore gjithëkombëtare, ku krahas ekspozimit të gështenjës si produkt i kësaj treve kemi rastin të shohim, të prezantuara edhe eksponate tjera etno-kulturore", tha Gjonbalaj.

Diamant Mazrekaj, qytetar nga Deçani ka treguar për KosovaPress vështirësitë që ka gështenja gjatë vjeljes së saj.

"Pavarësisht shijes që e kanë shumë të mirë, gështenjat e kanë edhe atë pjesën e mundimshme që mblidhen, sepse ka gjemba që duhet t'i hapim për të nxjerrë  gështenjën. Pastaj vjen procedura për pjekje ose zierje... Kam hasur në vështirësi përderisa isha duke i mbledhur gështenjat. Kishte raste kur kanë rënë nga lart  dhe gjembat më kanë rënë në kokë, megjithatë ishte kaluese", tha Mazrekaj.

Komuna e Deçanit njihet për sipërfaqe të madhe, cilësi dhe historik të gështenjave.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025