Disa vende mbesin pa rrymë shkaku i borës, mobilizohet KEDS-i
Për shkak të reshjeve të borës dhe erërave të forta disa vende kanë mbetur pa energji elektrike, duke përfshirë Deçanin, Rugovën, Pejën dhe Llapushnikun.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Lulzim Krasniqi. Ai tha se pas kësaj situate, KEDS-i po punon në mënyrë intensive që konsumatorëve të prekur t’iu rikthehet sa më shpejt furnizimi i rregullt me energji elektrike.
“Shkaku i reshjeve të borës dhe erërave të forta, disa dalje në rajonin e Gjakovës janë jashtë funksionit, duke lënë një pjesë të fshatrave pa furnizim me energji elektrike. Situatë e ngjashme është edhe në Deçan, Rugovë, Pejë dhe Llapushnik. KEDS-i ka mobilizuar ekipe shtesë të mirëmbajtjes dhe po punohet në mënyrë intensive që konsumatorëve të afektuar t’u rikthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike”, tha Krasnqi përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Ndryshe, sot në orët e mëngjesit KEDS-i ka njoftuar se për shkak të paralajmërimeve të djeshme se do të ketë përkeqësim të motit, kanë mobilizuar ekipet e tyre, kryesisht në zonat më të prekura në rajonin e Gjakovës dhe Pejës.