DHTIK: Të zgjidhet çështja e IP Adresave, po dëmtohet shteti dhe bizneset
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me mos rregullimin e IP Adresave andaj ka kërkuar nga institucionet qendrore dhe ART-ja mos të lejojë përdorimin e IP-së së Serbisë në Kosovë, pasi që të njëjtat sipas tyre janë duke e dëmtuar në vazhdimësi vendin me cenim të sovranitetit dhe biznesin me miliona euro në vit.

“Duke pas parasysh që aktualisht Kosova nuk ka të drejtë të posedimit të kodit të internetit (ccTLD), kërkesë e DHTIK-së tash e sa kohë ishte dhe mbetet rregullimi i problemit të provajderëve dhe eliminimi i përdorimit të IP adresave nga Serbia dhe këto të fundit të zëvendësohen menjëherë me ato të Shqipërisë, në mënyrë që reklamat në ueb faqe të dalin në gjuhën shqipe. Për njohuri sistemi i ri i marketingut botëror vendos reklama në ueb faqet dhe portalet, në bazë të IP-së së çdo shteti”, thuhet në komunikatën e lëshuar të DHTIK.

Sipas DHTIK-së, mos rregullimi i IP Adresave edhe pse i deleguar tash e sa kohë, edhe më tutje mbetet problem për bizneset, i cili është duke u ballafaquar me mos rregullimin e tyre.

“Dhoma e Tregtisë, konsideron që me këtë rast, përveç humbjeve të cilat po iu shkaktohen bizneseve, problem tjetër mbetet edhe dëmtimi i imazhit të vendit tonë në aspektin nacional, kjo sepse në vend të paraqitjes së shtetit të Kosovës, kur kërkojmë në linkun ‘What’s my IP address (https://ëhatismyipaddress.com/)’, del që Kosova është në Serbi. DHTIK ka dërguar disa shkresa dhe ka takuar edhe përfaqësuesit e ARKEP, për të diskutuar këtë problematikë por nuk po sheh zgjidhje nga kjo e fundit”, thuhet tutje në komunikatë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, ri kërkon nga kryeministri, Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse që të vendos rregulla për përdorimin e IP adresave.

“Duke pasur parasysh që ne si Dhomë jemi duke pranuar vazhdimisht ankesa nga qytetarët dhe nga biznesi i mediave, tek të cilat në fund të faqeve po shfaqen reklama në gjuhen serbe, ku me këtë rast në vend që të ofrohen reklama dhe oferta në gjuhën shqipe nga bizneset vendore, qytetarëve dhe bizneseve po i ofrohen ato nga një shtet i huaj, që është kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024