Zbatimi i politikave të cilat nxisin rritjen dhe stabilitetin ekonomik, krijimi i ofertave që mundësojnë zhvillimin e biznesit vendor dhe tërheqjen e investimeve të huaja, ankesat e bizneseve për çështjen e Maksografit, kërkesa që provajderët të përdorin IP adresat nga Shqipëria, Ligji për Miniera dhe Minerale, problemet me energjinë elektrike, ishin disa nga çështjet që u ngritën në takimin e përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me Zëvendësministrin e Ekonomisë Getoar Mjeku.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë njofton se përfaqësuesit e DHTIK u shprehën të hapur për bashkëpunim profesional me Ministrinë e Ekonomisë me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe imputeve drejtpërdrejt nga bizneset, në mënyrë që të tejkalohen sfidat që hasin operatorët ekonomik gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
Siç njofton DhTIK, zëvendësministri Mjeku u shpreh i gatshëm për bashkëpunim reciprok dhe falënderoi DHTIK për çështjet e përcjella, duke vlerësuar që të njëjtat janë përcjell të specifikuara duke ofruar kështu më shumë detaje rreth propozimeve të ngritura.
“Mjeku u shpreh i hapur për bashkëpunim me qëllim të evidentimit të sfidave me të cilat ballafaqohen bizneset dhe ofrimin e kontributit në tejkalimin e tyre”, citohet në komunikatë të ketë thënë Mjeku.