Dhjetë ditë lufte në Ukrainë
Lexohet për: 3 min.
ukraina-lufta1
2 vite më parë
Linku u kopjua

Tash e dhjetë ditë ukrainasët po përballën me agresionin rus. Ku fillimisht u sulmua qyteti Kherson, e më pas raketat ruse synuan kryeqytetin ukrainas, Kievin dhe qytetin e dytë më të madh Kharkiv.

Numri i viktimave civile është ende i paqartë, por agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se më shumë se një milion njerëz janë larguar nga Ukraina që nga 24 shkurti me miliona të tjerë në lëvizje.

Ndërkohë Porti jugor i Mariupolit është ende nën rrethim dhe trupat ruse po shkojnë gjithashtu drejt një porti tjetër, Odesa - kapja e të dyve do të ndërpresë aksesin detar të Ukrainës

Trupat ruse kanë kapur gjithashtu centralin bërthamor të Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë, pasi e kanë granatuar për orë të tëra të premten. Lëvizja alarmoi liderët botërorë të cilët thanë se sulmi mund të kishte shkaktuar një katastrofë.

Termocentrali i Çernobilit, është gjithashtu nën kontrollin rus.

Ndërsa, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenksy u ka bërë thirrje qytetarëve të Evropës të mbështesin vendin e tij nga pushtimi rus.

SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse duke ngrirë asetet ruse, duke synuar bankën qendrore të vendit, si dhe presidentin Vladimir Putin dhe rrethin e tij të ngushtë. Rubla është zhytur mes kufizimeve, të cilat kanë goditur gjithashtu tregtinë, investimet dhe udhëtimin.

Mediat e pavarura, përfshirë BBC-në, kanë pezulluar punën në Rusi pasi vendi miratoi një ligj drakonian që censuron raportimin e luftës në Ukrainë.

Një mori kompanish kanë pezulluar eksportet në Rusi.

Ndërsa të premten, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konfernecë për medie ka deklaruar se kanë shtuar forcat ushtarake në shumë shtete të NATO-s dhe është me rëndësi që lufta mos të përhapet përtej Ukrainës.

 Pas mbledhjes me ministrat e Punëve të Jashtme, Stoltenberg theksoi se NATO nuk kërkon luftë me Rusinë, pasi e njëjta do të ishte shkatërruese për njerëzimin.

Stoltenberg përmendi çështjen e sigurisë në Gjeorgji dhe Moldavi, si dhe theksoi se siguria është e brishtë edhe në Bosnje Hercegovinë.

Krahas kësaj, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se kanë ofruar mbështetje ushtarake Ukrainës.

Ai tha se avionët e aleancës veri atlantike nuk duhet të operojnë mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, derisa paralajmëroi se Rusia mund të përdorë artileri më të rëndë ditëve në vijim duke shtuar viktimat në Ukrainë.

E sekretari amerikan, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, thotë se është i bindur se Ukraina mund ta fitojë luftën e saj me Rusinë.

Ai për BBC nuk mund të thoshte se sa do të zgjaste konflikti, por këmbënguli se disfata e Ukrainës nuk ishte e pashmangshme.

Blinken vlerësoi "rezistencën e jashtëzakonshme" të popullit ukrainas.

https://kosovapress.com/admin/rusia-sulmon-ukrainen/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024