Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për nisjen e procedurave për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit në Mitrovicën e Veriut, objekt i cili ishte djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ministrja në detyrë e Kulturës dhe e Turizmit, Saranda Bogujevci, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se ky vendim hap rrugë për hartimin dhe më pas zbatimin e projektit për rindërtimin e xhamisë.
“Me një vendim shumë të rëndësishëm që kemi marrë tani në mbledhje të qeverisë, që ka të bëjë me rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, e cila ishte djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky vendim sot hap rrugë për hartimin dhe më pas zbatimin e këtij projekti. Duhet të sqaroj që kjo nuk është një ndërtim i një xhamie; ka të bëjë me rindërtimin e një xhamie e cila është djegur, ku qëllimi ka qenë nga regjimi gjenocidal i Serbisë që me të gjitha format e tyre të zhdukin gjithçka që na takon ne, jo vetëm duke i targetuar qytetarët, duke i vrarë, duke i maltretuar, por çdo pjesë të trashëgimisë domethënë që e kemi, ta shkatërrojnë. Dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe jam e lumtur që është marrë ky vendim dhe do të vazhdojmë për rindërtimin e xhamisë së djegur domethënë të Ibrit në Mitrovicën e Veriut”, tha Bogujevci.
Sipas saj, investimi në këtë projekt kap vlerën prej rreth 1 milion e 776 mijë eurosh.
Bogujevci foli edhe për vizitën në Kalanë e Prizrenit, ku është bërë vlerësimi i gjendjes së monumentit gjatë muajve mars dhe prill.
Lidhur me këtë çështje foli edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se bashkë me Ministrinë e Kulturës do të bashkëfinancojnë projektin për zhvendosjen e rezervuarit.
Ministrja e Ekonomisë komentoi edhe reduktimet e energjisë elektrike në vend dhe përgjegjësitë institucionale për menaxhimin e sistemit energjetik.
“Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria janë organe të cilat bëjnë politikat, hartojnë ligjet, mirëpo nuk kanë kompetenca në mbikëqyrjen e operatorëve. Megjithatë, dua të cek se vlerësimi i juaj fillestar për reduktime në gjithë vendin duket se është pak i tepruar. Sa i përket çështjeve specifike në komuna specifike, është detyrë e operatorëve që të informojnë qytetarët në raste kur ka ndërprerje, për arsyet e ndërprerjes dhe kohëzgjatjen, ndërsa mbikëqyrës i tregut është Zyra e Rregullatorit për Energji. Unë çfarë mund të them, një informacion që ndoshta nuk e kanë mjaftueshëm qytetarët, është që një prishje e madhe që ka ndodhur në nënstacionin, një nga nënstacionet kryesore të Ferizajt para rreth tre muajsh, e di që ka shkaktuar probleme të mëdha atje dhe KOST-i na ka mbajtur të informuar edhe qytetarët edhe neve, që nga fillimi i kësaj prishje kanë bërë maksimumin për ta sanuar situatën dhe sipas informatave të fundit që i kam unë nga KOST, pritet që situata të sanohet me 20 maj. Ndërsa për çështjet e tjera dhe komunat e tjera specifike, këto janë çështje të cilat duhet të drejtohen tek organet kompetente dhe operatorët kompetentë“, tha ajo.
Rizvanolli tha se votimi kundër mocioneve në Kuvend ishte vendim me inate politike dhe se dëmi që u shkaktohet qytetarëve është i madh.
“Ky ishte një vendim puro politik, i inatit politik. Nuk kishte të bëjë me përmbajtjen e ligjeve, mirëpo duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për dëmin që do t’i shkaktohet qytetarëve të Republikës së Kosovës, për vendin tonë, blloku opozitar vendosi që të bllokojë mocionet procedurale, megjithëse ne kishim votat për t’i kaluar ligjet si të tilla. Dhe t’ju them të drejtën, nuk ka pasur asnjë arsye përmbajtësore, pavarësisht çfarë është thënë në Kuvend atë ditë. Ju e keni parë se deputetët kanë qenë madje të opozitës aq të papërgatitur, sa që as për ligjin e duhur nuk flisnin, citonin krejtësisht ligjin e gabuar duke thënë gjëra të cilat thjesht nuk janë të sakta pastaj. Dhe mua më vjen shumë keq që rrezikojmë – përveç nëse arrijmë në ndonjë mënyrë të negociojmë shtyrjen e afateve për shkak të gjendjes – ne do të humbim, vetëm sa i përket obligimeve të Ministrisë së Ekonomisë, 9.4 milionë euro të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për çështje… për arsye se opozita vendosi ta vendosë inatin politik mbi interesin e qytetarëve të Republikës”, tha ajo.