Deputetët e VV-së pas deklaratave të Chollet dhe Escobar: Zajednica nuk kalon
Lexohet për: 2 min.
Levizja Vetevendosje 2022 (2 of 7)
1 vit më parë
Linku u kopjua

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar pas publikimit të një vështrimi të përbashkët të këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Cholet dhe të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku kanë bërë thirrje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një domosdoshmëri.

I pari që reagoi qe deputeti Artan Abrashi, i cili në murin e tij në Facebook ka shkruar se "Zajednica" nuk kalon.

“Nuk e di çka Vuqiqi e Brnabici i kanë premtuar Cholletit dhe Escobarit, por: Zajednica nuk kalon!”, tha ai.

Edhe bashkëpartiakja e tij, Arbëreshë Kryeziu Hyseni ka thënë se “Zajednicën” që e ka nënshkruar dikush tjetër po duan ta nënshkruajnë me kundërshtarin më të madh të saj, Albin Kurtin.

“Para 10 vjetëve ‘Zajednicën’ në parim e nënshkroi Hashim Thaçi me Ivica Daçiqin. Para 8 vjetëve ‘Zajednicën’ me përmbajtje e nënshkroi Isa Mustafa me Aleksandar Vuçiqin. Tash, po duan që ‘Zajednicën’ ta zbatojnë me kundërshtarin më të madh të saj Albin Kurtin. Tendencë perverse mbi Kosovën”, ka shkruar ajo.

Se Asociacioni nuk mund të jetë as në qendër as parakusht i normalizimit të marrëdhënieve sepse synim e ka abnormalizimin e vendit, ka thënë Adnan Rrustemi.

“Që nga fillimi, Kosova ka thënë se plani franko-gjerman është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme. Ndërkohë që Serbia, në mbledhjen e Këshillit të saj të Sigurisë, me 27 tetor zyrtarisht dhe njëzëri e kishte refuzuar atë propozim duke e cilësuar si të papranueshëm. Serbia as sot nuk e ka pranuar propozimin franko-gjerman. Rendi i gjërave ishte i qartë: normalizim i plotë i marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër, siç ka thënë presidenti Biden, përmes planit franko-gjerman, të mbështetur nga ShBA. Asociacioni nuk mund të jetë as në qendër as parakusht i normalizimit të marrëdhënieve sepse synim e ka abnormalizimin e vendit tonë”, ka shkruar ai në Facebook.

https://kosovapress.com/%e2%80%8bchollet-dhe-escobar-ritheksojne-domosdoshmerine-per-themelimin-e-asociacionit/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024