Deputetët e fillojnë me tension seancën e sotme plenare
Lexohet për: 2 min.
280203555_962167334465975_49676854533136971_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ka nisur me debate dhe tension seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës.

Mocionet procedurale për shtyrjen e debateve parlamentare për situatën e sigurisë në vend dhe punën 1-vjeçare të Qeverisë Kurti, u përdorën nga shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri për adresim të kritikave ndaj mazhorancës në legjislativ.

Pasi mori fjalën për të paraqitur mocionin procedural, Tahiri pyeti mazhorancën për zhurmën dhe metodat jo konvencionale të përdorura në seancën e kaluar.

Duke e goditur foltoren e Kuvendit me shishe të ujit, Tahiri tha se a duhet këtë formë të veprohet në mënyrë që Qeveria të sjellë projektligjin për paga në Kuvend.

“A duhet të merret shishja për ta goditur kështu për të marrë vesh dhe për të sjellë ligjet që i keni. A duhet goditur tavolinën për të thënë silleni ligjin e pagave. A kuptoni se këto metoda, kjo gjuhë dhe zhurmë nuk është për këtë kuvend. Kërkesa ime është t’i ndalim metodat jo konvencionale dhe të kthehemi në një logjikë të shëndosh të diskutimit”, tha ai.

Mirëpo i ashpër në reagim u shpreh edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i  tha Tahirit se keqpërdori foltoren e Kuvendit.

“Zotëri Tahiri sapo e keqpërdore fort keq foltoren e Kuvendit, kështu s’bon hiq. Shumë gabim je, ta dhashë fjalën për tjetër gjë dhe u morëm vesh çka është më e keqja. Tregomë, se do të flasësh për komision parlamentar hetimor, s’shkon kuvendi kështu”, theksoi ai.

Me propozim të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u shty  debati parlamentar për 1-vjetorin e punës së Qeverisë Kurti, ndërsa u vendos që në fund të pikave të rendit të ditës të ketë një konsensus për mbajtjen apo jo të debatit parlamentar për gjendjen e sigurisë në Kosovë.

Në fillim të seancës plenare, deputetët mbajtën një minutë heshtjeje në nderim të ish-boksierit Xhevdet Peci, i cili ndërroi jetë para pak ditësh.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024