Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasje të ish-bashkëshortes
4-Fourth
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasje të ish-bashkëshortes
Gjykata-Themelore-Ferizaj1234
03/04/2026 - 14:28
Linku u kopjua

Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi me 24 vjet burgim Valon Aliun. Ai u shpall fajtor të premten për vrasjen e ish-bashkëshortes së vet, Erona Cokli, në vitin 2024.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, e shqiptoi dënim unik Aliut me 24 vjet burgim , prej të cilave 22 vjet burgim për vrasje të rëndë, 1 vit për armëmbajtje pa leje dhe 2 vjet për kanosje.

Në dënim, Aliut do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli i vitit 2024.

Erona Cokli u vra në moshën 21-vjeçare në prill të vitit 2024 në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj (QPS). Si i dyshuar kryesor për aktin u arrestua menjëherë ish-bashkëshorti i saj, me të cilin ajo e kishte një djalë një vjeç e dy muaj.

Çifti ishte i shkurorëzuar për gati një vit dhe Erona e kishte detyrim ligjor ta takonte të birin me babanë çdo javë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Në takimin që do të bëhej i fundit për ta në prill 2024, ajo u qëllua për vdekje, ndërsa vëllai i saj Driloni, 15 vjeç, që e shoqëronte, u plagos.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj jepen edhe detaje të tjera.

“I pandehuri F.I., akuzohet se: Me datë 12 prill 2024, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C., me të cilën  ka bashkëjetuar, ashtu që fillimisht ditën kritike, rreth orës 13:00, sipas marrëveshjes në QPS, e merr djalin dhe e dërgon në shtëpi për t`ia prerë flokët, kurse është dashur që ta kthej në ora 15:00, mirëpo i pandehuri pas 40 minutave kthehet pa fëmijë në QPS, ku fillimisht bisedon me zyrtaren Q.Z., pastaj del jashtë ku në një lokal pret dhe rreth orës 14:40 minuta vërejnë të ndjerën E.C., me vëllain e saj D.C., pastaj para tyre hynë në zyrën e QPS-së dhe posa aty mbërrin e ndjera së bashku me vëllain e saj, pas një fjalosje të shkurtër, nxjerrë nga brezi armën e tipit “ZORAKI M 2906-T” të ndjerën E. Fillimisht me një të shtënë e godet në kraharorë, pastaj me dashje ta privon nga jeta shtënë edhe në të dëmtuarin D.C., të cilin e godet në krahun e djathtë pasi i dëmtuari duke mbledhur krahët instinktivisht është tkurr, pastaj derisa e ndjera E. Fillon të largohet në drejtim të dritareve e godet edhe një herë në gjoks dhe në fund e godet në anën e majtë të kokës 3cm mbi laprën e veshit, për pasojë e ndjera ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi Pistoletën e tipit “ZORAKI M 2906-T” , cal. 9mm PAK me një karikator të zbrazur e cila më 12 prill 2024, iu është konfiskuar nga policia.

III

Më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së qendrës për punë sociale në Ferizaj, pasi vret të ndjerën E.C., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht me përdorimin e armës e kanos të dëmtuarën Q.Z., duke ia vendos armën në ballë dhe i drejtohet me fjalët “shuaj se të gjuj edhe ty”.

Konform nenin 366 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPRK-së, të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri kur aktgjykimi të merre formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim.

Konform nenit 366 paragrafi 3 të KPRK-së, konfiskohet në mënyrë të përhershme arma siç përshkruhet në aktakuzë.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest civil.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt.

###

Gjykata vendosi gjithashtu se Aliu zotëronte pa leje një pistoletë të tipit “ZORAKI M 2906-T”, e cila është konfiskuar në mënyrë të përhershme.

Që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra - shumica nga bashkëshortët e tyre.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta të autorëve - gjë që, sipas tyre, i trimëron dorasit.

Vrasja e rëndë në Kosovë dënohet me minimum 10 vjet burgim dhe me maksimum burgim të përjetshëm.

Por, edhe sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, rastet e vrasjes së grave “marrin dënime të ulëta, kthehen në rigjykim ose zvarriten”, thuhet në njoftimine Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026