Dënohet me 20 vjet burgim për vrasjen në tregun e Mitrovicës
Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit SH.A., për shkak se është fajtor për vrasjen e cila ndodhi në tregun e Mitrovicës, ku i gjithë konflikti nisi lidhur me rritjen e fidanit të fikut.
Sipas gjykatës, më datë 17.04.2021, rreth orës 12:40 minuta në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca” në brendi të tregut të gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin V.F., në atë mënyrë pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut vije deri te konflikti fizik.
“Së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç`rast i pandehuri nxjerrë revolen nga brezi të markës “XDM”, prodhim kroatë dhe shtënë në viktimën duke e goditur në pjesën e përparme të trupit nën harkun brinjor, me c`rast predha kalon nëpër indet të buta të kavitetit abdominale, shqyerjes së mushkërisë së majtë e duke shkaktuar gjakderdhje masive në hapësirën e lirë të anës së majtë të kafazit të kraharorit, si pasojë e të cilave vdes, të shtënat goditin edhe të dëmtuarin L.F., dhe i shkakton plagë në regjionin e veshkës së majtë, si dhe kalimtarin e rastit A.A:, në regjionin e përparme anësor të kofshës së majtë dhe i shkakton lëndime të lehta trupore, me këtë ka kryer veprën penale vrasja e rëndë”, thuhet në komunikatë.
Gjykata të akuzuarit SH.A., e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 20 vitesh ndaj të akuzuarit është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
“Pas shpalljes së aktgjykimit, Kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar. Ndërkohë, lënda me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 19 nëntor 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren”, thuhet në komunikatë.