Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me shtatë vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Sh.H., i cili akuzohej për dy vepra penale të vjedhjes së rëndë dhe një vepër penale të vjedhjes së rëndë në tentativë.
Sipas aktgjykimit, më 12 janar 2025, Sh.H., në bashkëkryerje me një shtetas bullgar, ka depërtuar me forcë në një argjendari në Prizren, ku nga kasaforta kanë marrë rreth 3 kilogramë ari 14 karatësh, argjend, monedha ari dhe sende të tjera me vlerë, duke i shkaktuar pronarit dëm material prej 195 mijë eurosh.
Ndërkaq, më 23 janar 2025, Sh.H. ka depërtuar me forcë në një objekt tjetër në Prizren, nga ku ka vjedhur një modem interneti, një DVR dhe ka dëmtuar sistemin e kamerave të sigurisë.
Pas zhvillimit të nëntë seancave gjyqësore, Gjykata e shpalli fajtor të akuzuarin dhe i shqiptoi dënim unik prej shtatë vjetësh burgim dhe 2 mijë euro gjobë.Gjykata ka vendosur gjithashtu vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Sh.H. deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.