Dënohen me burgim të përjetshëm Naim Murseli dhe Granit Plava
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Dënohen me burgim të përjetshëm Naim Murseli dhe Granit Plava
Naim Murseli
21/04/2026 - 13:48
Linku u kopjua

Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023. Ndërsa me 30 vjet privim nga liria u dënua Kushtrim Kokalla, raporton KosovaPress.

 Ky vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinës u bë sot i ditur nga kryetarja e trupit gjykues, Fatmire Dërmaku.

“Në emër të popullit shpall këtë aktgjykim: I  akuzuari Naim Murseli është fajtor për veprën penale për vrasje të rëndë, në bashkëkryerje i akuzuari Granit Plava  është fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje, vrasje e rëndë, i akuzuari Granit Plava konform nenit 64 është fajtor për veprën penale mbajtje e posedim të armës. Kushtrim Kokalla është fajtor për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë. Gjykata në bazë të dispozitave gjyqësore të KPRK të akuzuarit i gjykon Naim Murseli dhe Granit e iu shqipton dënim me burgim të përjetshëm. Kushtrim Kokalla i shqiptohen dënim me burgim me 30 vjet”, tha ajo.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq ka kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas saj, kjo vrasje ishte e planifikuar.

Ndërsa, burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën kërkoi edhe vëllai i të ndjerës, Liridonës, Leonard Ademaj. Kërkesë të njëjtë pati edhe avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla.

Mbrojtësit e të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt kanë paraqitur qëndrimet e tyre përfundimtare para gjykatës, duke kërkuar vendime të drejta dhe të bazuara në prova.

Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.

Sipas aktakuzës Naim Murseli e planifikoi vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.

Aktakuza thotë se Kushtrim Kokalla e kishte njoftuar Naim Murselin me  Granit Plavën, i cili akuzohet si dorasi.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla të shpallur fajtor për vrasjen e Liridona Ademaj nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit në momentin kur iu shqiptua dënimi.

Sipas Prokurorisë, ai kishte kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026