Sot protesta e fermerëve, kërkohet rifillimi i grumbullimit të qumështit
Fermerët Kosovarë të Qumështit do të protestojnë sot para Ministrisë së Bujqësisë në Prishtinë, transmeton KosovaPress.
Nga kjo shoqatë kanë bërë thirrje që të gjithë fermerët t’i bashkohen protestës që do të mbahet sot, më 6 korrik, në orën 13:00, para Ministrisë së Bujqësisë, duke kundërshtuar, siç thonë, mosgrumbullimin e qumështit të freskët nga fermat vendore.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se, vendimi për organizimin e protestës është marrë njëzëri në mbledhjen e anëtarësisë, të mbajtur më 5 korrik.
Përfaqësuesit e fermerëve vlerësojnë se protesta është e pashmangshme për shkak të situatës së krijuar, duke theksuar se kërkesat e tyre nuk kanë gjetur përgjigje nga institucionet përgjegjëse.
Fermerët kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat, publikimin urgjent të rezultateve për analizat e qumështit me qëllim të largimit të dyshimeve mbi produktet vendore, si dhe ndalimin e importit të qumështit për të stabilizuar çmimin në treg dhe për ta kthyer atë në nivelin e mëparshëm.
Sipas organizatorëve, protesta do të zhvillohet me mjete bujqësore dhe cisterna të qumështit.
Ata kanë ftuar edhe qytetarët që të marrin bidonë me vete, duke bërë të ditur se gjatë protestës do të shpërndahet qumësht falas.
Kjo protestë vjen pas mbylljes së përkohshme të fabrikës “Vita” në Istog, të enjten, për shkak të një aksioni inspektues nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë.
Përfaqësuesit e qumështores “Vita”, kanë deklaruar dy ditë parë se, vendimi për pezullimin e përkohshëm të punës është marrë nga vetë kompania dhe jo nga institucionet, ndërsa kanë kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) që t'i publikojë sa më shpejt rezultatet e analizave të mostrave të marra gjatë kontrollit të fundit.
Komisioni për Monitorim dhe Ndjekje të Punës së Inspektorëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konstatuar dje se fabrika e qumështit “Vita” ka shkelur vendimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja të 10 majit 2026, me të cilin ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat për përpunimin e qumështit.v
/Kosovapress/