Demhasaj për liberalizimin e vizave: Në shumë aspekte qëndrojmë më mirë se vendet e rajonit
Lexohet për: 2 min.
demhasaj
2 vite më parë
Linku u kopjua

Analisti Arton Demhasaj tha se Kosova qëndron më mirë në të gjitha aspektet sesa vendet e rajonit që kanë liberalizim të vizave për vite me radhë. Këtë deklaratë ai e bëri duke e komentuar çështjen e liberalizimit të vizave teksa deklaroi se Kosova i ka plotësuar tashmë të gjitha kriteret që janë vendos nga BE-ja për liberalizim.

“Në asnjë proces ose në asnjë aspekt, nëse e marrim Kosovën dhe e krahasojmë me vendet e rajonit që kanë liberalizimin e vizave qe sa vite qoftë Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi apo Serbia nuk qëndrojnë më mirë sesa Kosova as në aspektin e sundimit të ligjit as në aspektin e lirisë së shprehjes as në aspektin e demokratizimit madje mendoj që në shumë aspekte të tilla”, deklaroi ai.

Demhasaj në Tëvë1 tha se Kosova është një lloj shkolle për vendet e rajonit sidomos sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, organizimit të tyre dhe ndërrimit të pushteteve.

“Demokracia në Kosovë mund të konsiderohet shumë më e avancuar sesa në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi por edhe në Shqipëri. Ne në këto vende e kemi parë se sa problematike është çështja e ndërrimit të pushteteve, kur një parti i humbë zgjedhjet që ka qenë në pushtet gjatë. Në Kosovë ky problem asnjëherë nuk ka ekzistuar, kemi organizuar zgjedhje të mira, kemi pasur ndërrim të qetë dhe demokratik të pushteteve”, tha ai.

Sipas analistit Demhasaj, kriteret që janë vendosur nga BE-ja për Kosovën kanë qenë më të rënda sesa për secilin shtet.

“Në të gjitha aspektet që mund të vlerësohen nga Bashkimi Evropian ne qëndrojmë më mirë se vendet e rajonit, pse ne nuk kemi liberalizim të vizave kur kushtet apo kriteret që janë vendos nga BE-ja për Kosovën kanë qenë më të rënda sesa për secilin shtet”, shtoi ai në TëVë1.

Ndërkohë në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur sot nga grupi punues për vizat i Këshillit të Evropës është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025