Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar ashpër pas deklaratës skandaloze të ministres për Pushtetin Lokal, Snezhana Paunoviq.
Ajo ka deklaruar se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”, për çka Kamberi ka thënë se do të iniciojë shkarkimin e saj.
Ai ka bërë të ditur se, nëpërmjet një shkrese zyrtare, ka kërkuar reagim nga të gjitha ambasadat relevante ndërkombëtare në Beograd.
Deklaratat fashiste të ministrave të qeverisë serbe, siç ka thënë Kamberi, tregojnë më së miri se Serbia e Millosheviqit vazhdon të mbetet e njejtë.“Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, deklarata të tilla nga përfaqësues të institucioneve shtetërore përbëjnë një burim shtesë pasigurie. Kur një anëtar i Qeverisë flet për spastrim etnik, pjesëtarët e komuniteteve pakicë me të drejtë shtrojnë pyetjen se çfarë sigurie mund të presin nga këto institucione.”, ka thënë Kamberi.
Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sipas tij, Serbia ka obligim të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e komuniteteve pakicë.