Deklarata e Gërvallës ndaj BE-së nxiti reagime të emisarëve dhe të opozitës
Lexohet për: 4 min.
356431317_664630955693783_2918379048784953633_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut deklaroi të shtunën se Bashkimi Evropian pa Shtetet en Bashkuara të Amerikës dhe pa NATO-n është e paaftë që të garantojë siguri.

Në panelin "Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik", ku ishte me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Gërvalla iu referua BE-së si “tigër prej letre”.

“Pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme, nukka vullnet politik, ka shumë mospajtime në union dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një “Tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.”, u shpreh Gërvalla.

Lidhur me këtë deklaratë, mospajtim shprehu emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se gjithçka e mirë që ka ndodhur në gjeneratën e fundit ka ndodhur në Ballkan në gjeneratën e fundit, është arritur në bashkëpunim ShBA-BE.

“Paper Tiger (Tigër prej letre) është term që i referohet diçkaje apo dikujt që pretendon të jetë i fuqishëm ose kërcënues e që në të vërtetë është i paefektshëm dhe i paaftë për t’i bërë ballë sfidës.”, tha ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u shpreh se Bashkimi Evropian është larg të qenurit i përkryer.

Ai tha se anëtarësimi në BE është ëndërr për shetet e Ballkanit Perëndimor.

“Mundt të them që BE është larg të qenurit e përkryer, por megjithkëtë është më e mira që e kemi. Është bashkimi më i suksesshëm i shteteve. Mendoj që anëtarësimi në BE është arritje e ëndrrave të vendeve, të cilat janë duke trokitur në ëndrrën evropiane”, u shpreh ai.

Deklaratën e ministres Gërvalla ndaj BE-së e kritikoi opozita.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e quajti të papërgjegjshme deklaratën e ministers.

“Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megallomani dhe injorancë. Zatën, këto të trija rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, “ tigër prej letre” i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të.”, shkroi ajo në Facebook.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj i quajti jodiplomatike, skandaloze dhe shumë të dëmshme vlerësimet e Gërvallës për BE-në.

“Jo vetem jodiplomatike, por skandaloze dhe shume te demshme vleresimet per BE te Ministres se Jashtme Donika Gervalla! Me e pakta qe do te duhej, eshte nje deklarate e Presidentes dhe Kryeministrit ku do sqaronin se ajo qe ka thene Ministrja e Jashtme, nuk eshte qendrim zyrtar i Republikes se Kosoves. Pas nje distancimi te tille, edhe zonja Gervalla do ta kete me te lehte ta gjeje rrugen e vet!”, shkroi ai në Facebook.

Ndërsa, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi e quajti të mjerë gjendjen diplomatike të Kosovës.

“Përderisa Kosova po përjeton ditët e zymta nën sanksionet e BE-së, çohet një ministre nga Kosova, që për fat të keq të shtetit të ri - qëlloi të mbajë postin e krye diplomates - dhe i kërkon llogari BE-së për sigurinë. Thuajse blloku i vendeve evropiane i detyrohet personalisht zonjës Gërvalla-Schwarz!? Ajo e godet BE-në si ‘një tigër prej letre’ duke aluduar se BE-ja u dashka t’i jap siguri Kosovës dhe eventualisht të hyjë në luftë për të!? E zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele, mori përgjigje të merituar nga emisarët Lajcak e Escobar.  I pari ia kujtoi kryediplomates kosovare se nuk ekziston një BE tjetër pos kësaj (nuk ka një BE sipas botës paralele të VV-së!) kurse i dyti ia përkujtoi asaj se vendet e NATO-s që kanë braktisur popullizimin dhe nacionalizmin janë plotësisht të lira dhe të sigurta. Escobar sikur i tha rrini ju në lloqin e rivaliteteve ballkanike!? E mjerë kjo gjendje diplomatike e Republikës së Kosovës dhe e rrezikshme!”, shkroi ajo në Facebook.

https://kosovapress.com/admin/gervalla-gradualisht-po-ulim-numrin-e-atyre-qe-perspektiven-e-shohin-ne-emigrim/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024