Departamenti i Shtetit ka publikuar raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2021, ku përfshihet edhe Kosova.
Në raport thuhet se në Kosovë çështjet e rëndësishme të këtyre të drejtave përfshinin raporte të besueshme për: kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet për dhunë gazetarëve; korrupsionin serioz qeveritar dhe mosndëshkimin dhe krimet që përfshijnë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj pakicave etnike ose komuniteteve tjera të margjinalizuara.
Krimet e luftës
Në raport përmendet puna e Gjykatës së Posaçme të Kosovës për krime lufte me seli në Hagë dhe veprimet për ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës nga gjykatat në Kosovë.
Raporti vë re se në korrik, një gjykatë në Prishtinë dënoi ish-policin serb, Zoran Vukotiq me tre vjet e gjysmë heqje lirie për përdhunimin e një gruaje shqiptare shtatzënë gjatë kohës së luftës dhe për pjesëmarrje në dëbimet e civilëve shqiptarë të Kosovës nga qyteti i Vushtrrisë, në vitin 1999. Që nga viti 2019, Vukotiq ishte në vuajtje të dënimit prej gjashtë vjet e gjysme për krimet e luftës të ndalimit dhe torturimit të paligjshëm të të burgosurve shqiptarë nga Kosova në rajonin e Mitrovicës. Dënimi shtesë shënoi herën e parë që një gjykatë e Kosovës dënon një të pandehur për përdhunim gjatë luftës.
Raporti përfshinë edhe dënimin në muajin mars të serbit nga Kosova Zlatan Krstiq dhe shqiptarit Destan Shabani, të dy ish-oficerë të policisë serbe, me përkatësisht 14 vjet e gjysmë dhe shtatë vjet burgim, për krime lufte kundër civilëve shqiptarë në vitin 1999. Ndërsa në shkurt, një gjykatë në Prishtinë dënoi serbin e Kosovës, Zoran Gjokiq me 12 vjet heqje lirie për krime lufte kundër shqiptarëve të Kosovës të kryera ndërmjet marsit dhe prillit 1999 në rajonin e Pejës.
Keqtrajtimi i të burgosurve
Raporti përfshinë edhe ankesat për keqtrajtimin e të burgosurve dhe përdorimin e dhunës nga pjesëtarët e organeve të rendit.
Raporti përfshinë të dhënat e Inspektoratit Policor të Kosovës i cili deri në nëntor kishte pranuar 1,862 ankesa, 617 prej të cilave janë dërguar për hetim penal. Ankesat ishin kryesisht për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorim të detyrës zyrtare, lëndim trupor, kanosje dhe dhunë në familje. Inspektorati raportoi se 158 policë ishin nën hetim, 78 ishin pezulluar dhe 31 ishin arrestuar.
Pavarësia gjyqësore
Mes tjerash raporti thekson se autoritetet ndonjëherë nuk arritën të zbatonin urdhrat e gjykatës, përfshirë edhe të Gjykatës Kushtetuese. Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës pohuan se institucionet qeveritare dështuan në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht në mosmarrëveshjet lidhur me pronën. Autoritetet qendrore dhe lokale në Deçan vazhduan të refuzojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që konfirmon pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi më shumë se 24 hektarë tokë në afërsi të Manastirit të Deçanit. Në shtator, Gjykata Kushtetuese vuri në dukje refuzimin e vazhdueshëm të qeverisë për të zbatuar vendimin e gjykatës dhe ia referoi çështjen prokurorit të shtetit. Deri në dhjetor, prokurori nuk kishte filluar procedimin penal. Asnjë nga zyrtarët që nuk kanë zbatuar urdhrin e gjykatës nuk janë sanksionuar, thuhet në raport.
Liria e shprehjes
Mediat e pavarura, thuhet më tej, ishin aktive dhe shprehën një shumëllojshmëri pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, pati raportime se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin trysni pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që të mos publikonin rrëfime ose materiale të caktuara. Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik investigativ për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose vendin e punës.
Ndërsa disa media të vetëqëndrueshme miratuan politika editoriale dhe transmetime të pavarura nga interesat politike dhe të biznesit, ato me më pak burime ndonjëherë pranuan mbështetje financiare në këmbim të mbulimit pozitiv ose për t'u përmbajtur nga publikimi i rrëfimeve negative të dëmshme për interesat e financuesve. Sipas disa redaktorëve, financimi ishte i kufizuar pjesërisht sepse qeveria hezitonte të blinte reklama në mediat që publikonin materiale kritike ndaj politikave të qeverisë.
Raporti vë re se disa gazetarët u ankuan se pronarët dhe menaxherët e medias i penguan ata të botonin ose transmetonin materiale kritike ndaj qeverisë, partive politike ose zyrtarëve të veçantë.
Korrupsioni dhe transparenca qeveritare
Në raport thuhet se Prokuroria e Posaçme ngriti nëntë aktakuza lidhur me korrupsionin deri në dhjetor të vitit 2021, por një pjesë e vogël e rasteve të korrupsionit që u hetuan dhe për të cilat u ngritën akuza, përfunduan me dënime.
Organizatat joqeveritare vendase dhe organizatat ndërkombëtare, thuhet në raport, pretenduan për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor për të ndjekur penalisht korrupsionin, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime dhe dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë për korrupsion ishte shpesh i butë.
Raporti citon Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimi e Ligjit, sipas të cilit gjykatat shpesh zbatonin dënime më të lehta se minimumi ligjor në rastet e përdhunimit dhe se organet e sundimit të ligjit rrallë ndërmerrnin hapa për të mbrojtur viktimat dhe dëshmitarët.
Zyra e Prokurorisë për Ndihmë ndaj Viktimave, raportoi një rritje të dhunës familjare nga 1 mijë e 145 raste të raportuara në vitin in 2020 në 1 mijë e 374 raste nga janarit deri në gusht të vitit 2021. Dhuna seksuale dhe përdhunimi që ndodhin brenda ose jashtë familjes, rrallë u raportuan nga viktimat, shpesh për shkak të frikës nga stigma shoqërore ose mungesa e besimit tek autoritetet.