Departamenti amerikan i Shtetit tha se është thellësisht i zhgënjyer me planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.
“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të DASH-it për Zërin e Amerikës.DASH tha se ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca.
“Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t'i paguajnë faturat apo do t'i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga BE për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit duke nënvizuar se qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të dëgjuar perspektivat dhe për t'u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të zbatueshme.
Dinari vazhdon të qarkullojë në veri • KosovaPress
Vendimi që hyri në fuqi më 1 shkurt nënkupton heqjen nga përdorimi të dinarit serb që ende përdoret në zonat e banuara me shumicë serbe posaçërisht në veri.
Edhe BE i bëri thirrje të enjten Kosovës që të ofrojë periudhë mjaftueshëm të gjatë kalimtare për zbatimin e vendimit se euroja është monedha e vetme që mund të përdoret për pagesa.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për të lehtësuar këtë proces.