Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë një aksion të gjerë inspektimesh në të gjithë territorin e Kosovës për verifikimin e çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve, në prag të festës së Bajramit.
Ky inspektorat, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, njofton se kontrollet janë zhvilluar gjatë gjithë javës dhe po vazhdojnë edhe ditën e sotme.
Inspektorati thekson se mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e qytetarëve nga praktikat e padrejta tregtare dhe nga çdo veprim që bie ndesh me legjislacionin në fuqi.
“Përmes këtyre kontrolleve synohet rritja e transparencës në treg dhe krijimi i një mjedisi të drejtë dhe të besueshëm për konsumatorët”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, transmeton KosovaPress.Inspektorati ka bërë të ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, për të siguruar respektimin e të drejtave të konsumatorëve dhe funksionimin e rregullt të tregut.