Çka mund të përfitojë Kosova në këmbim të themelimit të Asociacionit ?
Lexohet për: 3 min.
Qeveria e Kosovës IH (4)
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kosova duhet të forcojë subjektivitetin ndërkombëtar në këmbim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbi bazën e draft-statutit të modernizuar nga emisarët euro-amerikanë, thonë njohësit e procesit të dialogut. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, dhënia e dritës së gjelbër për statusin vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe anëtarësimin me procedura të përshpejtuara në NATO, po e kërkojnë në Lidhjen Demokratike të Kosovës si përfitime nga themelimi i Asociacionit. Këto kërkesa i shohin të nevojshme edhe në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët thonë se të njëjtat janë prezantuar nga kryeministri Albin Kurti, në takimin e 26 tetorit, me liderët kryesor evropianë.

Njohësi i procesit të dialogut, Dorajet Imeri thotë për KosovaPress, se Kosova duhet të përfitojë diçka në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar si këmbim për themelimin e Asociacionit.

Kërkesat që Kosova të anëtarësohet me procedura të përshpejtuara në NATO, Imeri i sheh më shumë si një orientim strategjik sesa një mundësi reale. 

Megjithëse ka dyshime për kompetencat që mund t’i ketë Asociacioni, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thotë se nëse themelohet i njëjti, Kosovës duhet t’i hiqen masat ndëshkuese, të anëtarësohet në Këshill të Evropës dhe NATO, si mundësi më të shpejta, derisa të nis rrugëtimin për anëtarësim në BE.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se krahas zbatimit të obligimeve në dialog duhet të ketë diskutim paralel me partnerët për përfitimet e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ai përmend anëtarësimin e Kosovës në partneritetin për paqe të NATO-s, dhënien e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE, njohjen nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së, si dhe anëtarësimin në Këshill të Evropës.

Diplomatët euro-amerikanët më 21 tetor, paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e refuzoi.

Gjatë kësaj jave në Kosovë qëndroi emisari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ku u dakordua që të ketë takim më 16 nëntor në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024