Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar Deklaratën trelaterale për aleancë ushtarake. Kjo ujdi u tha që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon, raporton KosovaPress.
Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë në Shqipëri, ku ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, me nderime të larta ushtarake ka pritur homologët e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci dhe nga Kroacia, Ivan Anushiq.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, mirëpo është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor por edhe sigurinë e vendeve tona. Tri vendet tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta janë të bashkuara për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e regjionit”, tha ai.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve në përballimin e rreziqeve dhe sfidave të përbashkëta, shkruan KosovaPress.
E ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha se ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt, transmeton KosovaPress.
“Ky bashkëpunim do të bazohet sidomos te dhënia e ndihmës te pjesa e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, ndryshimit të përmbushjes së të gjithë marrëveshjeve që kemi firmosur deri tani. Këto tani duam t’i fuqizojmë dhe të ndajmë eksperiencën e shtetit tonë si Kroaci si pjesë e NATO-s dhe BE-së”, theksoi Anushiq.