Kanë kaluar mbi 12 vjet nga aksidenti i rëndë me ski që i ndryshoi jetën legjendës së Formula 1, Michael Schumacher. Që nga viti 2013, ai nuk është parë më në publik dhe gjendja e tij vazhdon të mbetet një nga sekretet më të ruajtura në botën e sportit. Familja e tij ka mbajtur një privatësi të hekurt, duke ndarë vetëm detaje minimale rreth shëndetit të tij.
Më 29 dhjetor 2013, gjatë skijimit në Méribel të Francës, Schumacher goditi kokën në një shkëmb pas humbjes së kontrollit. Edhe pse mbante helmetë, ajo u ça nga goditja e fortë. Ai pësoi dëmtime të rënda në tru dhe u dërgua me helikopter në spital, ku iu nënshtrua dy operacioneve urgjente. Mjekët atëherë e përshkruan gjendjen e tij si “kritike” dhe “duke luftuar për jetën”.
Përditësimet rreth gjendjes së tij shëndetësore janë mjaft të rralla. Ekspertë të ndryshëm neurologjikë kanë sugjeruar se Schumacher nuk mund të bëjë një jetë aktive dhe se ai ka vështirësi të komunikojë. Dokumente të gjykatës e përshkruajnë si “pjesërisht të pafuqishëm” dhe në nevojë të vazhdueshme për përkujdesje., raporton ‘Daily Mail’.
Thuhet se ai komunikon kryesisht me sy dhe se vetëm një numër shumë i vogël njerëzish lejohen ta vizitojnë – mes tyre Jean Todt, Ross Braën dhe Gerhard Berger.
Bashkëshortja e tij, Corinna Schumacher, është zotuar ta mbrojë privatësinë e tij me çdo kusht, duke insistuar që gjendja e tij të mos keqpërdoret dhe dinjiteti i tij të ruhet.