Lehtësimi që krijoi shpallja e një armëpushimi midis SHBA dhe Iranit po shoqërohet me pasiguri të konsiderueshme. Një ndër pyetjet kyçe është nëse Ngushtica me rëndësi strategjike e Hormuzit do të rihapet për lundrim.
Për çfarë janë dakorduar të dyja palët?
Baza e marrëveshjes
Baza e marrëveshjes është një plan me dhjetë pika, i cili i është dorëzuar Uashingtonit nga pala iraniane. Deri më tani, as Republika Islamike e Iranit dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë bërë zyrtarisht publik përmbajtjen e dokumentit.Luftimet pritet të përfundojnë në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin. Izraeli megjithatë e mohoi këtë pikë, duke theksuar se marrëveshja nuk vlen për luftën kundër milicisë Hezbollah.
Trump fillimisht e cilësoi marrëveshjen si një „bazë të qëndrueshme për negociata". Sipas tij, pothuajse të gjitha pikat e mëparshme të konfliktit ishin zgjidhur. Megjithatë, mbi këtë vlerësim ka dyshime të konsiderueshme.
Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi në një konferencë për shtyp se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për sulme të mëtejshme kundër Iranit, nëse Teherani nuk dorëzon uraniumin e pasuruar. Për më tepër, presidenti amerikan kërcënoi, në një postim në platformën e tij Truth Social, se do të vendosë tarifa doganore ndaj të gjitha vendeve që në të ardhmen furnizojnë Iranin me armë.
Megjithëse ministri i Jashtëm i Iranit, Araghtschi, deklaroi se ngushtica detare midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit do të rihapej, ai e shoqëroi këtë njoftim me kushtin se një veprim i tillë do të bëhej „në koordinim me forcat e armatosura iraniane dhe duke marrë parasysh kufizimet teknike".
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, Irani e ka mbyllur përsëri ngushticën, si shenjë proteste ndaj sulmeve izraelite kundër Hezbollahut në Liban. Sipas këtyre informacioneve, vetëm dy cisterna nafte kanë arritur të kalojnë përmes ngushticës përpara se trafiku detar të pezullohej sërish.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, shkroi në platformën X se armëpushimi vlen shprehimisht edhe për Libanin. Presidenti amerikan Donald Trump, në një intervistë telefonike për kanalin televiziv PBS, theksoi ndërkaq se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes.
Sipas raportimeve, po diskutohet mundësia që si Irani ashtu edhe Omani të vendosin në të ardhmen tarifa për anijet që kalojnë përmes ngushticës. Nga këndvështrimi i ekspertëve, fakti që Irani mund të ketë në dorë një mjet ndikimi mbi ekonominë botërore konsiderohet i rrezikshëm.