Me moton “Libri triumfon”, të martën është hapur panairi i librit në Prishtinë.
Në hapjen e këtij edicioni të panairit “Prishtina 2023”, krahas figurave politike vendore, i pranishëm ishte edhe shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili u vlerësua si forcë gjigante e ngritjes së gjuhës e kulturës shqiptare, por edhe zë për liri.
“Jam shumë i gëzuar që ndodhem midis jush në këtë ditë kaq të bukur dhe kaq frymëzuese në ditën e librit”, u shpreh shkrimtari i madh shqiptar, Kadare.
Fjalë të mëdha të shkrimtarin Kadare, thuri edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti cili Kadarenë e quajti shkrimtari më i madh i gjallë në botë.
“Panairi është si një festival i librit, lexuesi mund të vijë çdo ditë, madje mund të vijë jo vetëm si lexues, por edhe si shkrues dhe si bibliofil, sepse libri ka edhe bukurinë e vetë si punim artizanal", theksoi Kurti.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca teksa ka falënderuar Ismajl Kadarenë që letërsinë shqipe e bëri të përbotshme, tha se shkrimtari Kadare është ngritur në simbolin më të lartë e kuptim-plotë për popullin tonë.
Në ceremoninë hapëse të Panarit të Librit “Prishtina 2023”, kryetari i Kuvendit, Konjufca tha se libri është një institucion i cili nuk mund të mos ekzistojë.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh me këtë rast se kryeqyteti është shndërruar në vatër që shpalos magjinë e fjalës në letër.
Ndërsa, shkrimtarja, Drita Ruhani shpreson se pananiri i librit të jetë motivues për rritjen e lexuesve.
Në edicionin e 23-të të panairit, është paralajmëruar të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.
Në kuadër të panairit do të shënohen edhe disa përvjetorë si: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos, dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.
Panairi i librit “Prishtina 2023”do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë prej orës 9:00 deri 20:00, ndërkaq, do të mbyllet më 11 qershor, në orën 18:00. /B.Ibishi/