Shqipëria prezantoi në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2026 ofertën e saj turistike autentike duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve, agjencive turistike dhe kompanive të huaja.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, e cila qëndroi në Berlin në kuadër të këtij panairi, tha për ATSH-në se së bashku me ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit AKT prezantoi në stendën nën titullin “Shqipëria një eksperiencë autentike në 365 ditë të vitit” një koncept të integruar të prezantimit të Shqipërisë si destinacion turistik ku përfshihet identiteti, inovacioni dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Drejtoresha e AKT-së theksoi se stenda tërhoqi shumë vizitorë. “Mendoj se vërtet Shqipëria është e vendosur në hartën e destinacioneve turistike në zhvillim. Por ajo ka një vulë të fortë autenticiteti dhe kapacitete profesionale, si dhe vizion të qartë dhe të balancuar për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit gjithëvjetor”, u shpreh Çela.
Sipas saj, interes të lartë ka pasur edhe nga kompanitë e huaja, gjë që tregohet nga kontratat e nënshkruara mes kompanive shqiptare dhe atyre të huaja.Edhe kompanitë pjesëmarrëse në stendën e Shqipërisë shprehen shumë optimiste për kontratat e lidhura me partnerët e huaj për dy vitet e ardhshme, 2027 dhe 2028.
Përfaqësuesja e një resorti turistik tha se “pjesëmarrja jonë në panairin ITB Berlin ka qenë shumë e suksesshme, kemi pasur takime të rëndësishme me agjenci turistik nga e gjithë bota, por ato që kanë pasur më shumë interes kanë qenë nga Gjermania, Anglia, Itali. Një risi ka qenë edhe interesi nga vendet aziatike dhe në të ardhmen do të kemi disa bashkëpunime të rëndësishme për ta sjellë këtë treg në Shqipëri”.
Duke folur për stendën e Shqipërisë, Çela bëri të ditur se “në zemër të ofertës sonë turistike ne kishim vendosur ofertën e trashëgimisë kulturore”.
Interes pati edhe kulinaria shqiptare, si pjesë e një historie gjeografike.
Panairi Ndërkombëtar i Turizmit ITB Berlin 2026 ka 60 vite që ka filluar rrugëtimin e tij dhe këtë vit janë mbi 100 mijë ekspozitorë dhe një numër i jashtëzakonshëm i vizitorëve.