Burri, i cili u bë i pari në botë që iu nënshtrua transplantit të veçantë të zemrës, duke e marrë atë nga një derr, ka të kaluar kriminale. Ai kishte therur me thikë shtatë herë një person vite më parë, duke e lënë të paralizuar, ka njoftuar familja e viktimës.
David Bennet, 57-vjeçar, ishte dënuar për therjen e Edward Shumakerit më 1988, ka treguar motra e viktimës. Leslie Shumaker Downey ka thënë se vëllai i saj i vdiq më 2007, gati dy dekada pas sulmit, për shkak të komplikimeve mjekësore që lidheshin me rastin.
Sulmi kishte ndodhur në prill të vitit 1988 kur bashkëshortja e Bennettit ishte ulur në prehrin e Shumakerit, atë kohë 22-vjeçar, ka thënë Downey. Në shenjë xhelozie, Bennetti kishte therur pandërprerë prapa Shumakerin. Bennetti ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.
Downey ka thënë se askush s’e ka kontaktuar se Bennetti do të marrë zemrën e derrit dhe se e mori vesh kur e bija i dërgoi mesazh. “Bija ime më dërgoi mesazh dhe më tha: ‘Nënë, ky është burri që theri dajën Ed’. E lexova më pas lajmin dhe u nervozova se pse ai mori zemrën”, ka shtuar ajo.
“Ata po e portretizojnë si hero dhe pionier, por ai s’është i tillë. Mendoj se doktorët që bënë operacionin është dashur të marrin të gjitha meritat për atë që kanë bërë dhe jo ai”, ka deklaruar Downey.
Shumaker kishte mbetur në karrocë si rezultat i therjes, para se të pësonte sulm në zemër më 2005 dhe të vdiste dy vjet më pas. “Vëllai im vuajti për 19 vjet dhe si rezultat i kësaj vuajti e gjithë familja”, ka thënë Downey.
“Është obligim i cilitdo spital apo organizatë shëndetësore të ofrojë kujdes për shpëtim të jetës të secilit pacient që vjen në dyert e tyre, bazuar në nevojat e tyre mjekësore”, kanë thënë zyrtarët e Qendrës Mjekësore të Marylandit për “New York Times”.