Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi pas mbledhjes së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ka deklaruar se njëri nga të dyshuarit që kanë shkelur e më pas rrahur 18 vjeçarin, Lulzim Fejzullahun, i cili vdiq më pas në QKUK, ka 9-të vepra të ndryshme penale, ka qenë i dënuar me tri vite e gjysmë burgim dhe ishte përjashtuar nga shkolla. Ndërsa për të dyshuarin të dytë, tha se nuk kanë informacione.
Buliqi tha se ka thirr këtë mbledhje për të marrë më shumë informacione lidhur me rastin, derisa tha se si institucione komunale kanë kryer punën si duhet.
Sipas tij, gjendja ekonomike e dy të rinjve që sulmuan viktimën është e mirë.
Bulliqi shtoi se 18 vjeçari i cili ishte viktimë e dy të rinjve, ishte një djalë i mirë dhe i sjellshëm.
E derisa mbledhja ishte e mbyllur, anëtari i organizatës joqeveritare “Demokracia”, që monitoron punët në Kuvendin Komunal të Podujevës, Shemsi Jashari tha se është e çuditshme pse mediat u detyruan të dalin nga salla, sepse nuk është diskutuar asgjë sekrete që nuk është në publik.
Ai tha se ka lëshuar mbledhjen më herët sepse kryetari dhe drejtori i arsimit, Avni Fetahu ishin drejtuar me një arrogancë ndaj tij, për çështjen që ka ngritur mosveprimin dhe moskoordinimin e institucioneve lokale për të punuar në aspekt të sigurisë.