Edicioni i 10-të i forumit evropian mbi temat e ekonomisë sociale dhe solidare është hapur të hënën. Ngjarja organizohet nga Sindikata Kombëtare e Kooperativave të Prodhuesve Punëtor, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale të Bullgarisë, dhe Panairi Ndërkombëtar i Plovdivit nën moton "Ekonomia sociale e drejtë, adekuate dhe transformuese".
Programi i forumit përmban konferenca, diskutime dhe tryeza të rrumbullakëta në të cilat do të marrin pjesë anëtarë të pushtetit shtetëror dhe vendor bullgar, institucionet e BE-së, si dhe komuniteti shkencor, biznesi dhe shoqëria civile.
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale të Bullgarisë, Georgi Gjokov tha se ekonomia sociale nuk shërben vetëm për krijimin e vendeve të punës, por gjithashtu afron njerëzit që ndajnë vlera të tilla si solidariteti dhe demokracia. Ai shtoi se kjo lloj ekonomie lejon që të drejtat e punëtorëve të njihen dhe mbrohen.
Komisioneri i BE-së për Punë dhe të Drejta Sociale, Nikolas Shmit tha se punëtorët në ekonominë sociale nuk kontribuojnë vetëm në zhvillimin e këtij lloji të ekonomisë, por edhe në ekonominë bullgare në tërësi. "Gjëja e parë që do të donim të bënim është krijimi i një kuadri të përbashkët, për të mbështetur ekonominë sociale dhe ndërmarrjet sociale në përparimin e tyre. Së dyti, ne duam të investojmë më shumë në ndërmarrjet sociale dhe kooperativat, për të nxitur rritjen e tyre. Së treti, ne duam të zgjerojmë fushën e ekonomisë sociale dhe për ta lidhur atë me arsimin dhe trajnimin”, tha Komisioneri.