Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka vendosur të enjten që të shpallin grevë të përgjithshme të të punësuarve për realizimin e kërkesave të tyre për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli theksoi se nga 25 gushti do të futen në grevë të përgjithshme të gjithë punonjësit e sektorit publik.
Kryetari i BSPK-së, Hykolli tha se greva e përgjithshme do të vazhdojë derisa të përmbushen kërkesat e arsyeshme sindikale.
“BSPK, dëshiron të besojë se partneri ynë social, Qeveria, do t’i thërrasë arsyes dhe do të ulet në tavolinën e dialogut social ku bashkarisht do të gjenden e rrugët e veprimit, e jo e premtimit që të punësuarit të kenë atë që u takon nga puna që bëjnë në shoqërinë tonë, duke pasur një jetë të mirëqenë. Ju informojmë se nga 25 gushti 2022, shpallim grevën e përgjithshme të të punësuarve, e do të vazhdojë derisa të përmbushen kërkesat e arsyeshme sindikale”, theksoi Hykolli.
Sipas Jasharit, pika kyçe për t’u bërë marrëveshja me qeverinë Kurti është të fillohet me 100 euro mbështetje deri në miratimin e Ligjit për pagat.
“Qeveria Kurti mbajti pozicion të gabuar ndaj sindikatave dhe na solli në këtë moment kur ne jemi të shtyrë të fillojmë me grevat nga 25 gushti. Këtë grevë që nuk e dëshiruam, do të jenë të përfshirë edhe administrata edhe sektorë të tjerë, e unë po flas edhe për SBASHK-un, që nga çerdhet e pastaj greva do të kemi edhe në universitet… E keqja e madhe është se këtë ‘projektligj të kryer’ asnjë përfaqësues i asnjë sindikate nuk e ka parë dhe ne nuk mund t’i duartrokasim këtij projektligji pa e parë dhe e vërteta është që asnjë herë nuk jemi përfshirë në takime e dialog për të parë çfarë projektligji po na përgatitet”, theksoi ai.