Një numër në rritje turistësh britanikë po vërshojnë drejt Shqipërisë falë çmimeve të lira, maleve dhe plazheve mahnitëse, shkruan Lauren O’Toole në të përditshmen britanike “Express”.
Një vend i bukur evropian – me plazhe mahnitëse dhe ku një birrë kushton vetëm 1,67 paund – po përjeton një rritje të turizmit.
Pothuajse tre e katërta e territorit të Shqipërisë është malore, duke ofruar pamje mahnitëse për pushuesit – dhe duke rivalizuar malet e Zvicrës, Austrisë dhe Francës.
Me kodra dhe male që përqafojnë qytetin, Vlora është një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, transmeton ATSh.Vendi malor është miqësor në buxhetin tuaj. Një vakt në darkë rrallë kushton më shumë se 10 deri në 15 paund për person në restorante – ndërsa ata që kërkojnë opsione më ekonomike mund të hanë pica të përgatitura në moment për me pak se 5 paund.
Në baret kryesore të Vlorës, birra kushton vetëm 2 paund, ndërsa pijet alkoolike dhe koktejet janë rreth 4 paund.
Turistët që duan të zhyten në historinë e vendit ballkanik mund të akomodohen në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, për vetëm 6 paund në natë.
Shqipëria me siguri ka gjetur rrugën e saj në hartën turistike. Më shumë se 120 000 shtetas britanikë vizitojnë vendin ballkanik çdo vit.
Në vitin 2024, Shqipëria u vizitua nga 11,7 milionë turistë të huaj, duke shënuar një rritje prej 15% nga viti 2023.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha:
“Konsolidimi i tregjeve të Europës Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca dhe Spanja, së bashku me rritjen e turizmit rajonal dhe rritjen e vizitorëve nga Azia dhe Amerika, tregojnë se vizioni ynë po bëhet realitet”, tha më herët ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Ju mund të udhëtoni në Shqipëri me një çmim më të përballueshëm se në Greqi dhe Itali, duke e bërë atë një alternativë të shkëlqyer kundrejt destinacioneve të shtrenjta të Mesdheut.