Mbi gjashtëdhjetë objekte të larta, por edhe të ndërtimit të ulët, janë ndërprerë gjatë këtyre dy viteve nga ana e Inspeksionit në Mitrovicë, për shkak të mungesës së lejes ndërtimore, ndërsa Mitrovica është komuna e parë në vend e cila i ka ndërprerë pothuajse në tërësi ndërtimet pa leje.
Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Inspektoratit në komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi, teksa thotë se tendenca e disa biznesmenëve të caktuar për të interferuar në Drejtorinë e Inspeksionit është e kotë, sepse inspektorët komunalë janë të pashantazhueshëm, të pathyeshëm dhe nuk i frikësohen askujt.
Sipas tij, problemet e shumta të cilat nuk mund të zgjidhen nëpër Drejtoritë tjera, në fund gjejnë trajtim te Drejtoria e Inspeksionit.
Brahimi foli për bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë me policinë, inspektorët e ATK-së, AVUK-ut, por edhe Doganën, në rastet kur pretendohet se ka mall pa deklaracion, ose ka hyrë në mënyrë të kundërligjshme në territorin e Kosovës.