Banka Qendror e Kosovës (BQK) ka njoftuar se janë licencuar katër banka për import ose eksport të parasë së gatshme dhe 57 autorizime për transport të parave të gatshme. Sipas BQK-së, nga një zyrë janë licencuar në Leposaviq, Zveçan, Shtërpcë dhe në Gjilan, ndërsa dy në Shtërpcë. BQK po ashtu njofton se janë vendosur 38 bankomatë, janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese si dhe janë dhënë 11 milionë euro kredi.
BQK ka njoftuar se nga dhjetori i vitit 2023-s deri në prill të këtij viti janë larguar nga qarkullimi rreth 2.5 milionë copë të monedhës dy-euroshe, e mbi 54 mijë copë të falsifikuara. Sipas njoftimit, BQK-ja i ka futur në përdorim mbi 7.4 milionë copë monedhë 2 euro, 1 euro, 50 cent, 5 cent, 2 cent dhe 1 cent.
BQK ka bërë edhe vlerësimin mbi efektet nga Plani për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme.
“Nga lista prej 10 pikash të Planit, BQK ka realizuar aktivitete në secilën prej tyre, duke filluar nga funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800 222 55), lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së dhe aktivitetit të intensifikuar promovues, deri te pikat tjera që kanë kërkuar angazhimin dhe kontributin e institucioneve financiare, për çka shprehim falënderimin. Disa nga efektet e Planit për Zbatim të Lehtësuar të zbatuar gjatë periudhës tre (3) mujore, i cili kontribuoi në rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithëpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha, janë paraqitur në vijim: Janë licencuar tetë (8) degë/zyra të institucioneve financiare; Një zyrë bankare/degë në Leposaviq, Një zyrë e kompanisë së sigurimit (jojetë) në Leposaviq. Gjashtë zyra të institucioneve financiare jobankare dhe mikrofinanciare: Një në Leposaviq, një në Zveçan, dy në Graçanicë, një në Shtërpcë, një në Shillovë, Gjilan.
“Gjatë kësaj periudhe transitore tashmë të përmbyllur, BQK-ja në kuadër të edukimit financiar, ka organizuar kampanja informuese, siç është Manuali për Pyetjet dhe Përgjigjet e Shpeshta mbi Rregulloren, dërgimi i SMS-ve informuese, publikimi i sqarimeve dhe njoftimeve në ëebfaqe dhe në të gjitha rrjetet sociale të BQK-së, në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Më tej në komunikatë thuhet se zgjerimi i qasjes në financa, përfshirja financiare, edukimi financiar dhe mbrojtja e konsumatorit do të jenë aktivitete dhe angazhime të vazhdueshme të BQK-së mbi bazën e praktikave më të mira evropiane, si objektiva të Planit Strategjik të BQK-së, me fokus në zonat pjesë e Planit të Lehtësimit të Zbatimit të Rregullores. Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase te qytetarët e Republikës së Kosovës, përmes llogarive bankare mbi bazën e rregullores në fuqi.
Kjo rregullore ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, por BQK kishte vendosur një fazë tranzitore, që mundësonte lehtësim për zbatimin e këtij vendimi.