Botohet në vazhdime libri i ri i Bardhyl Mahmutit “Krimi i gjenocidit”
Me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe përfundimit të zbatimit të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve, Qendra “Gjenocidi në Kosovë - Plagë e hapur” fillon publikimin e librit të Bardhyl Mahmutit “Krimi i gjenocidit (Aspekte teorike dhe studime rastesh)”
Publikimi i librit do të fillojë nga data 12 qershor në faqen e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, www.kosovogenocide.com/libra.
Për herë të parë lexuesit shqiptarë do të kenë mundësi të informohen: për zhvillimet në kuadër të OKB-së dhe vështirësitë që e karakterizuan procesin e miratimit të Konventës për Gjenocid; për përkufizimin e drejtë të krimit të gjenocidit; për ndikimin negativ të përkthimit jo të saktë të përkufizimit të gjenocidit nga serbishtja në shqip; për gabimet e shumta terminologjike lidhur me krimin e gjenocidit; për ndikimin e madh negativ që mund të kenë juristë dhe historianë, anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, në përhapjen e pasaktësive rreth krimit të gjenocidit; për tekstet themelore të së drejtës penale ndërkombëtare që nuk përmenden fare nga juristët shqiptarë; për domosdoshmërinë e harmonizimit të terminologjisë për të shmangur shfajësimin e Serbisë për zbatimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës; për mënyrën si duhet të trajtohen aktet gjenocidale, që të ndriçohet në aspektin shkencor gjenocidi që kemi përjetuar si shqiptarë, dhe për shumë aspekte të kësaj çështjeje, që janë të rëndësishme për juristë, historianë, politikanë, gazetarë dhe intelektualë të fushave të ndryshme shoqërore.