Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha të enjten se do të ulet “së bashku” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, për të biseduar gjatë samitit të BE-së në Granada të Spanjës.
I pyetur nëse ka takim të caktuar mes Osmanit dhe Vuçiqit, Borrell tha se “takimet bëhen për t’i ulur tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe po ashtu presidenti Vuçiq. Në Kishinjev, ne u ulëm së bashku, biseduam për këtë, dhe sot do ta bëjmë të njëjtën gjë. Por, gjendja është shumë më e keqe sot sesa në kohën e Kishinjevës”, raporton Radio Evropa e Lirë.
Osmani ka folur të enjten pak para nisjes së një mbledhjeje në Granadë të Spanjës, në kuadër të Komunitetit Politik Evropian.
Aty marrin pjesë liderë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe rreth 20 liderë tjerë të vendeve të Evropës dhe Kaukazit.
“Nuk ka arsye të takohemi para se të vendosen sanksione drejt Vuçiqit. Sanksione në fillim, e më pas mund të flasim për më shumë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se shpreson që edhe Spanja – e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – të bashkohet në sanksione kundër Serbisë.
Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier ka thënë të mërkurën se SHBA-ja është duke tentuar të kuptojë më shumë për rastin, para se të vendosë për sanksione eventuale.
“Mirëpo, është qëndrim i prerë i Qeverisë amerikane që përgjegjësit për këtë krim, si për krimin e vrasjes së zyrtarit policor, për përdorimin e forcës për ta kontrolluar një objekt fetar, për përfshirje në shkëmbim të zjarrit me policinë legjitime dhe shërbimet e sigurisë së Kosovës, duhet të mbahen përgjegjës. Ne duhet ta përfundojmë këtë proces, mirëpo do të jemi të përfshirë në mënyrë aktive në këtë proces, për të garantuar se përgjegjësit mbajnë përgjegjësi”.