Borrell: Kryeministri Kurti kushtëzoi vazhdimin e procesit të normalizimit Kosovë – Serbi
Lexohet për: 3 min.
borrell-220523
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, u takuan sot në Bruksel me shefin e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, por jo edhe me njëri tjetrin.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha Kosova nuk ishte e gatshme për takim trepalësh dhe kryeministri i saj, Albin Kurti paraqiti tre kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin më të gjerë të normalizimit.

“Së pari, zyrtarizimin e marrëveshjes themelore përmes nënshkrimit nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive përkatëse. Së dyti, tërheqjen e letrës së paraqitur zyrtarisht në BE nga ish-kryeministrja (serbe Ana) Bërnabiç, e datës 13 dhjetor 2023. Dhe së treti, dorëzimin e Milan Radojçiçit dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist tek autoriteteve gjyqësore të Kosovës”, citoi zoti Borrell.

Serbia, tha ai, “nuk ishte e gatshme të përmbushte plotësisht kushtet e Kosovës duke përmendur kufizimet kushtetuese, ndërsa presidenti Vuçiç tha se është i gatshëm të shqyrtojë opsionet në lidhje me letrën e ish kryeministres dhe zyrtarizimin e marrëveshjes në përputhje me praktikën e kaluar të Dialogut për të zhbllokuar zbatimin e saj”.

Zoti Borrell tha se para takimit, BE-ja kishte paraqitur një propozim të ri për planin e zbatimit por “fatkeqësisht kushtëzimi i zbatimit nuk lejoi që diskutimet të përqendrohen në veprime konkrete zbatuese nga palët”, ndërsa theksoi se qëndrimet e tyre mbeten shumë të ndryshme për mënyrën se si mund të nisë zbatimi i Marrëveshjes dhe rrjedhimisht se si duhet të vazhdojë procesi i normalizimit.

Zoti Borrell tha se i dërguari evropian Miroslav Lajçak do të presë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel për të vazhduar diskutimet mbi planin e zbatimit të marrëveshjes si dhe çështje të tjera të dialogut.

“Tani u takon të dy palëve të tregojnë konstruktivitet dhe të mundësojnë që procesi të ecë përpara. Kjo është në interesin e tyre dhe në interes të aspiratave të tyre për integrim evropian”, tha zoti Borrell.

Ndërmjetësuesit provuan një takim të përbashkët në atë që disa vëzhgues të pavarur e panë si një shfaqje që do t’u mundësonte atyre të deklarojnë se procesi vazhdon, ndërsa palëve mund t’u sigurojë përfitime nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes ripërkushtimit ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve./VOA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024