Të paktën 31 persona, mes tyre edhe fëmijë, kanë humbur jetën pas një vale të fuqishme sulmesh ajrore izraelite në jug dhe lindje të Libanit.
Derisa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu premtoi përshkallëzim të operacioneve ushtarake kundër Hezbollahut, Ministria libaneze e Shëndetësisë bëri të ditur se dhjetëra persona të tjerë mbetën të plagosur nga bombardimet, të cilat konsiderohen ndër më të rëndat që prej armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA në muajin prill, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.
“Po e thellojmë operacionin tonë në Liban”, deklaroi Netanyahu gjatë mbledhjes së kabinetit të sigurisë. Ai tha se ushtria izraelite po vepron me forca të mëdha tokësore dhe po forcon “zonën e sigurisë” për të mbrojtur komunitetet në veri të Izraelit nga sulmet e Hezbollahut.
Ndërkohë, sirenat e alarmit ranë në veri të Izraelit pasi një predhë u lëshua nga territori libanez. Ushtria izraelite njoftoi se predha ra në një zonë të hapur dhe nuk shkaktoi viktima.Pamjet nga Mashghara tregojnë shkatërrime të mëdha, ndërsa ekipet e shpëtimit punuan gjatë natës për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat. Mes të shpëtuarve ishte edhe 7-vjeçari Mohammed, i cili mbeti i plagosur pasi një raketë goditi shtëpinë e tij, duke vrarë babanë dhe dy motrat e tij.
“Kur u zgjova nuk mund të lëvizja dhe gjithçka përreth ishte errësirë”, tha vogëlushi nga shtrati i spitalit.
Pavarësisht armëpushimit të arritur më 17 prill, përplasjet mes dy palëve kanë vazhduar pothuajse çdo ditë, duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë rajonal dhe duke komplikuar negociatat diplomatike mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.