Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, mori sot pjesë në konferencën për shënimin e Javës së Njeriut me Shkop të Bardhë në Prishtinë.
Ajo me këtë rast theksoi se 2022 është shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit, pasi kjo ka qenë edhe njëra ndër kërkesat e rezolutës për personat me aftësi të kufizuar, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor 2020.“Personat me aftësi të kufizuar përballen çdo ditë me sfida të llojllojshme, si mungesë të infrastrukturës së përshtatshme, arsimit, punësimit, burimit social e kujdesit të duhur shëndetësor, andaj për ne si institucione nuk do të duhej të mjaftonte vetëm një ditë të flasim për sfidat me të cilat kjo kategori ballafaqohet çdo ditë”, tha Bogujevci.
Ajo tha se Kuvendi si institucion e ka tejkaluar kuotën ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, duke përmendur se në mesin e rreth 200 shërbyesve civilë, gjashtë prej tyre janë persona me aftësi të kufizuara, shifër kjo që nuk duhet të mjaftojë.
“Kuvendi ka planifikuar përgatitjen e dokumenteve parlamentare në këtë alfabet, duke zbatuar praktikat globale për përfshirjen sa më të gjerë të të gjithë grupeve të shoqërisë në qasjen në informata, përmes të cilave mundësohet pjesëmarrja aktive në vendimmarrje, e demokracia kuptimësohet kur ka gjithëpërfshirje në vendimmarrje”, tha Bogujevci.
Daut Tishuki, kryetar i Shoqatës e të Verbërve të Kosovës foli për rëndësinë e Javës së Shkopit të Bardhë dhe për situatën aktuale të personave të verbër në Kosovë.
Ndryshe, 15 Tetori njihet në të gjithë botën si Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, e cila simbolizon përpjekjet e personave të verbër për përmirësimin e standardit të të drejtave të tyre.
Kjo ditë daton në vitin 1964, kur presidenti amerikan Lindon S. Jonson nënshkroi deklaratën e cila sanksiononte të drejtën e personave të verbër për të qenë të barabartë dhe të gjithëpërfshirë në shoqëri dhe masat që institucionet përgjegjëse duhet të merrnin për të lehtësuar dhe respektuar kërkesat e këtij komuniteti.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve është promovimi i kapaciteteve, talentit dhe pasionit të këtyre individëve të cilët mund të arrijnë nivele të krahasueshme me artistët e tjerë falë përpjekjeve dhe punës së tyre të vazhdueshme.