Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dekaroi të mërkurën se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.
Sekretari Blinken i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje të Senatores demokrate, Jeanne Shaheen lidhur me përpjekjet e tij për t’i bindur pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën.
Ai e pranoi se njohja nga Serbia është tjetër çështje dhe do të dojë kohë.
“Por nëse ato (vendet) arrijnë në një marrëdhënie të normalizuar, kjo do të kishte një efekt pozitiv dhe besoj se me kalimin e kohës do të arrijmë në atë pikë, por mendoj se për pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, fakti që këto vende (Kosova dhe Serbia) kanë arritur marrëveshjen dhe duke supozuar që do ta zbatojnë, kjo do t’i shtyjë ato drejt njohjes”, tha ai.
“Besoj se ajo që është e rëndësishme përveç faktit që të dyja vendet kanë rënë dakord në parim që ta bëjnë një gjë të tillë, është që këto angazhime janë pjesë e planeve të të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, prandaj shpresoj që kjo të jetë një nxitje që ato t’i zbatojnë ato”, tha ai.
Senatorja Shaheen u shpreh se ishte dakord.
Blinken nënvizoi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë “shumë të përfshira në këtë proces”.
“Kam diskutuar si me Kryeministrin (Albin) Kurti, ashtu edhe Presidentin (Aleksandar) Vuçiç në këtë drejtim, kështuqë mendoj se ky është një moment pozitiv”, tha ai.
“Besoj se do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme nëse në angazhimet tuaja me ligjvënës të të dyja vendeve për shembull, mbështetja e qartë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara për të çuar përpara dhe për të zbatuar këto marrëveshje, mendoj se do të ishte kritike”, tha Blinken.
Ai shtoi se inkurajon me force angazhimin e anëtarëve të Kongresit me parlamentet e dy vendeve, si edhe me vetë udhëheqësit e dy vendeve./VOA