Forca të shtuara policore, patrulla të rregullta të tyre, por edhe përfaqësues të KFOR-it dhe Eulex-it, kanë shtuar prezencën e tyre pranë objektit të Komunës në veri të Mitrovicës, në prag të seancës solemne e cila pritet të mbahet sot ku do të betohet kryetari i ri i kësaj komune.
Mësohet se objekti i Komunës në veri të këtij qyteti ka qenë i "blinduar" edhe gjatë tërë natës së mbrëmshme nga këto forca.
Aktualisht situata e sigurisë në këtë pjesë është e qetë.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe në veri të Mitrovicës u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar. Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte shoferët me makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, t’i regjistronin ato në targat legale RKS – Republika e Kosovës.