Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim një delegacion të përbërë nga deputetë të Bundestagut gjerman. Deputetët gjermanë u shoqëruan në këtë takim dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Në njoftim thuhet se gjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi deputetët gjermanë për vizitën në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës, progresin dhe zhvillimin e vendit.
Më tej u cekën dhe tema si arritja e liberalizimit të vizave, bashkëpunimi rajonal, procesi i dialogut dhe akti i agresionit të Banjskës.
“Mbi këtë të fundit, deputetët Josip Juratovic dhe Thomas Hacker, përgëzuan Policinë e Kosovës për reagimin e matur dhe shfaqën shqetësimin për arsenalin e madh të armatimit të gjetur. Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi përsëri deputetët për vizitën si dhe për bisedën e zhvilluar dhe pikëpamjet e ndara”, thuhet në njoftim.