Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur sonte për situatën e krijuar lidhur me zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe targat, që shkaktoi tensione nga serbët në veri të Kosovës, të dielën e kaluar.
Ai në një intervistë në RTK ka thënë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell ka ndryshuar letrat të cilat i ka dërguar Kosovës më 31 korrik.
Sipas tij, kërkesa e Borrell-it për shtyrje të masave nuk ka qenë shumë qëllimmirë, derisa shpjegoi se Brukseli zyrtar ka pasur krejtësisht brengë artificiale.
“Fatkeqësisht më 31 korrik neve na ka ardhur një kërkesë nga Brukseli, nga z. Borrell që masa të shtyhet, që personalisht mendoj se nuk ka qenë fort kërkesë qëllimmirë dhe nuk ka qenë mjaftueshëm e argumentueshme. Ka qenë brenga që mund të ketë tensione dhe se ka shumë dezinformim në veri, dhe ka nevojë për më shumë fushatë, edhe pse edhe aty shprehet frika se shtyrja jo domosdoshmërisht do të shmang efektin e dezinformimit. Kjo nënkupton se Brukseli e ka të qartë se tensioni nuk është i krijuar nga qytetarët por nga qendra e Serbisë”, ka thënë Bislimi.
“Qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk mund të thonin se nuk kanë dokumente shtesë, brenga ka qenë kryesisht artificiale, mirëpo si duket z. Borrell nuk ka qenë i kënaqur nga kjo përgjigje, dhe pastaj kemi pasur vizitën nga ambasadori Hovenier, që unë mendoj se ka qenë vizitë shumë qëllimmirë dhe ka dashur që ta zbehë ketë angazhimin jo parimor të Bashkimit Evropian. Aty është thanë që ‘në asnjë rast bashkësia ndërkombëtarë nuk kërkon rishikimin e masave’”, shpjegon Bislimi.
Duke shpjeguar këtë pjesë, Bislimi tha se kur flitet për palën serbe, duhet bërë dallimin që të gjitha trazirat të cilat Vuçiq i inskenon, nëpër vendet e rajonit, i maskon nën idenë e revoltave të qytetarëve lokal.
Bislimi ka sqaruar se kjo masë nuk u vendoset qytetarëve të Kosovës, por u vendoset qytetarëve të Serbisë që futen në Kosovë dhe se nuk ka nevojë për kurrfarë masa përgatitore nga këta qytetarë, meqë ata nuk duhet të tregojnë diçka apo të japin diçka për dorëzim, por marrin dokument.
“Serbët e veriut nuk preken nga ky vendim”, tha Bislimi gjatë intervistës.