Jetët e miliona njerëzve në të gjithë Lindjen e Mesme dhe fati i ekonomisë globale do të varen nga rezultati i bisedimeve vendimtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat nisën këtë fundjavë në Pakistan.
Të dyja palët po bisedojnë drejtpërdrejt me njëra-tjetrën, kanë thënë burime iraniane për CNN, duke i bërë këto negociatat më të larta ballë për ballë mes Iranit dhe SHBA-së që nga themelimi i Republikës Islamike në vitin 1979, raporton CNN, përcjell Gazeta Express.
Ja çfarë dimë:
Kush do të marrë pjesë në bisedime?Delegacioni amerikan udhëhiqet nga nënpresidenti JD Vance, i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump.
Para nisjes për në Islamabad, Vance u tha gazetarëve: “Presim me padurim negociatat. Mendoj se do të jenë pozitive.”
Të dy ekipet negociuese u takuan veçmas me kryeministrin e Pakistanit Shehbaz Sharif, i cili shprehu shpresën se këto bisedime do të jenë një hap drejt një paqeje të qëndrueshme në rajon.
Duke qenë se palët nuk bien dakord as për përmbajtjen e armëpushimit, përcaktimi i agjendës së bisedimeve mund të jetë i vështirë.
Trump ka përmendur një “propozim me 10 pika nga Irani”, që e quajti bazë të zbatueshme për negociata. Por më pas Irani publikoi një listë me kërkesa që SHBA nuk mund t’i pranojë, si njohja e kontrollit të tij mbi Ngushticën e Hormuzit, dëmshpërblime për dëmet e luftës dhe heqja e të gjitha sanksioneve, si dhe njohja e të drejtës për pasurim bërthamor.
Ndërkohë, Trump dhe ekipi i tij kanë një plan me 15 pika, që përfshin heqjen dorë të Iranit nga armët bërthamore, dorëzimin e uraniumit të pasuruar, kufizime në kapacitetet mbrojtëse dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
“Pa armë bërthamore. Kjo është 99% e çështjes,” tha Trump.
Përfshirja e Libanit në armëpushim mbetet çështje e debatueshme dhe rrezikon marrëveshjen.
Irani thotë se armëpushimi përfshin edhe sulmet ndaj Hezbollahut në Liban, ndërsa Izraeli dhe SHBA këmbëngulin se jo. Të mërkurën, pak orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, Izraeli kreu sulme të rënda në Liban, duke vrarë qindra persona dhe plagosur mbi një mijë.Pas një telefonate “të tensionuar” me Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të kërkojë bisedime të drejtpërdrejta me Libanin për çarmatimin e Hezbollahut.
Po Ngushtica e Hormuzit?
Trump tha se SHBA po “pastron Ngushticën e Hormuzit”, pa dhënë detaje.
Është e paqartë nëse dallimet e mëdha mes palëve mund të kapërcehen brenda një fundjave.
Të dyja palët kanë shprehur optimizëm të kujdesshëm. Trump u shpreh “shumë optimist” për një marrëveshje paqeje.
Sipas burimeve, këto bisedime pritet të jenë vetëm fillimi i një serie negociatash intensive për një marrëveshje afatgjatë që do t’i japë fund luftës.