Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (FRONTEX), e ashtuquajtura “Rruga e Ballkanit Perëndimor”, që përfshin edhe Shqipërinë, këtë vit shënoi uljen më të madhe të emigrantëve të parregullt, krahasuar me të gjitha rrugët e tjera kryesore të migrimit drejt BE-së.
Sipas FRONTEX në nëntë muajt e këtij viti janë regjistruar rreth 17 mijë raste të emigrimit të parregullt në rrugën e Ballkanit Perëndimor, një rënie prej 79% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas FRONTEX edhe numri i kalimeve të parregullta kufitare në Bashkimin Evropian nga të gjitha rrugët e migrimit të parregullt ra me 42%, në rreth 166 mijë raste në nëntë muajt e parë të këtij viti.
Rruga e Mesdheut Qendror regjistroi një rënie prej 64% në kalimet e parregullta kufitare, ndërsa kufiri tokësor lindor dhe rruga përmes Afrikës Perëndimore panë rritjet më të larta, përkatësisht me 192% dhe 100% të kalimeve të emigrantëve të parregullt drejt vendeve të Bashkimit Evropian.FRONTEX tha se mbi tre mijë oficerë dhe personel janë vendosur në të gjithë Evropën, përfshirë dhe Shqipërinë për të ndihmuar në menaxhimin e kufijve të jashtëm të BE-së.
Sipas Analizës Strategjike të Riskut që FRONTEX publikoi pak kohë më parë për vitin 2024 “rrugët kryesore migratore, si ajo e Mesdheut Lindor, Qendror dhe Perëndimor dhe rruga e Afrikës Perëndimore, ka gjasa të ruajnë prurjet migratore të parregullta në të njëjtat përmasa edhe për vitet e ardhshme”.
“Rrjetet e trafikut të drogës janë bërë më agresive, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të bërë një fitim të shpejtë duke ofruar sasi gjithnjë e më të mëdha”, thuhet në analizën e Frontex. /VoA