Presidenti Joe Biden dhe sfidanti kryesor Donald Trump shkuan të enjten në dy kahet e kundërt të vijës kufitare prej mbi 1930 kilometrash që ndan Teksasin nga Meksika. Të dyja vizitat synonin përqëndrimin e vëmendjes tek prurjet në rritje të emigrantëve që kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Mesazhet e tyre ishin tepër të ndryshme nga njëra-tjetra dhe reflektojnë mënyrën se si demokratët dhe republikanët e shikojnë këtë çështje thelbësore elektorale.
Një kufi i gjatë, por me dy këndvështrime krejt të ndryshme.
Dy rivalët politikë bien dakord për një gjë: rritja e kalimeve të paligjshme të kufirit është një sfidë.
Në Brownsville, presidenti Biden lëvdoi një projektligj për emigracionin që kundërshtohet nga ligjvënësit republikanë.
Nga ana tjetër, ish presidenti Trump e cilësoi situatën si një “luftë” dhe tha se politikat e presidentit Biden lejuan të hyjnë në vend mijëra emigrantë që ai i akuzoi se kanë bërë krime.
“Ky është një pushtim i Joe Biden-it. Ky është pushtimi Biden i tre viteve të fundit”, tha zoti Trump.
Analistët politikë në Teksas thonë se anketimet e fundit tregojnë se emigracioni është një çështje që po merr rëndësi për votuesit demokratë në këtë shtet që do të marrin pjesë në zgjedhjet në nëntor.
“Kufiri po zë vend tashmë gjithnjë e më shumë në mendjet e votuesve demokratë si një çështje që duhet trajtuar. Në të njëjtën kohë, nuk ekziston një pozicion i vërtetë qendror në Partinë Demokrate se çfarë duhet bërë me kufirin”, thotë Joshua Blank, nga Projekti “Politikat e Teksasit”.
“Ja se çfarë do t’i thoja zotit Trump: në vend që të bëni lojëra politike me këtë çështje, në vend që t’i thoni anëtarëve të Kongresit që ta bllokojnë legjislacionin, bashkohuni me mua, ose të bashkohem unë me ju dhe t’i themi Kongresit ta miratojë këtë projektligj dypartiak për sigurinë kufitare. Mund t’ja arrijmë së bashku”, tha presidenti Biden.
Nocioni i kompromisit bie ndesh me retorikën e ashpër të zotit Trump.
Por, analisti Blank thotë se nocioni i ish presidentit për “krimet e emigrantëve” nuk është i bazuar në fakte dhe se studimet e respektuara akademike tregojnë se emigrantët pa dokumenta bëjnë krime në nivele më të ulëta se shtetasit amerikanë.
“Donald Trump-i luan me retorikën që mund të cilësohet shpesh si kundër emigrantëve, apo në disa raste, si raciste. Kështu që të lidhësh emigracionin me kriminalitetin gërsheton vërtet dy çështje madhore për Partinë Republikane: çështjen e funksionimit të shtetit ligjor dhe çështjen e kufijve të dalë nga kontrolli dhe e vendos në një kontekst në të cilin demokratët e kanë të vështirë të mbrohen, por që është shumë, shumë tërheqës për votuesit republikanë”, thotë zoti Blank.