Partia Demokratike u shpreh sot me anë të një deklarate për shtyp se 24 korriku është dita e instalimit të monizmit të plotë të Edi Ramës në Shqipëri.
“24 korriku i vitit 2022 do të gdhendet me germa të zeza në muret e kohës si një ditë fatkeqësie kombëtare për demokracinë dhe liritë e shqiptarëve”, thekson PD.
“Sot, pas 31 vjetësh, të gjithë qeveritarët vendorë dhe të gjithë këshilltarë vendorë të vendit janë të një partie, dmth të Partisë (shtet) Socialiste. Po kështu, për herë të parë pas 31 viteve, Presidenti i Republikës, të gjithë drejtuesit e institucioneve kushtetuese apo të ngritura me ligj, janë vetëm të një partie, partisë-shtet. Sot, falë pseudoreformës sorosiane të drejtësisë, që shndërroi drejtësinë e vendit në degë të ekzekutivit socialist, të gjithë drejtuesit e institucioneve kryesore të drejtësisë, KLGJ, KLP, ILD, çdo prokuror, çdo hetues, sikundër dhe çdo gjykatës Fakti apo Apeli, gjykatës në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, përveçse njërit, janë, që të gjithë, të përzgjedhurit dhe në tërësi të emëruarit e Edi Ramës dhe partisë-shtet”, thekson PD.
“Sot, si asnjëherë në 31 vjet, kreu i partisë-shtet, Edi Rama, pasi e mori peng, bën në parlament, para shqiptarëve dhe botës, lojërat e turpshme me fasadë opozitën dhe shtyp në mënyrë antikushtetuese të drejtat legjitime të opozitës së vërtetë”, shton PD.
Partia Demokratike deklaron se, “me vendosjen sot të monizmit të plotë në Shqipëri, kanë rënë rendi demokratik, kushtetues dhe vetë Kushtetuta, që garanton kontrollin dhe balancën e pushteteve. Me këtë rast, rikujtojmë se Edi Rama mori pushtetin nga një koalicion në të cilin Partia Demokratike, si partia më e madhe qeverisëse në dy mandatet e saj, kontrollonte nga 37% në vitin 2005 në 48% në vitin 2013, të pushtetit të vendit. Pasardhës i bllokmenëve hoxhistë demonë të pushtetit, Edi Rama, në traditën e tyre, shtriu nga viti në vit duart e tij të zeza gjersa arriti të rivendosë sot, me zgjedhjen e Presidentit të tij, monizmin e plotë në Shqipëri. Edi Rama, i etur pafundësisht për pushtet personal, për pasurimin e tij arriti të rivendosë monizmin pas 30 viteve pluralizmi në Shqipëri”.
Partia Demokratike deklaron se, “në historinë e njerëzimit, monizmi ideologjik, fetar, apo i bazuar në drogën dhe krimin, u ka sjellë kombeve dramat më të mëdha në tërë ekzistencën e tyre. Më mirë se çdo komb tjetër, pasojat shkatërrimtare të monizmit i kemi provuar ne shqiptarët”.