Besim Aliti emërohet kryesues i komisionit koordinues për EYOF 2027
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Besim Aliti emërohet kryesues i komisionit koordinues për EYOF 2027
Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, ka arritur një sukses historik për sportin kosovar duke u emëruar kryesues i komisionit koordinues për Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) "Lignano Sabbiadoro 2027".
Kjo është hera e parë që një zyrtar nga Kosova udhëheq organizimin e një ngjarjeje kaq madhore ndërkombëtare, ku do të marrin pjesë 48 shtete në 14 disiplina sportive. Aliti ka qëndruar këtë javë në Itali për të vëzhguar ecurinë e punimeve, duke konfirmuar gatishmërinë për eventin që do të mbahet nga 24 korriku deri më 1 gusht 2027.
Përveç këtij roli, Aliti është ftuar të raportojë mbi progresin e organizimit në Asamblenë Gjenerale të Komitetit Olimpik të Evropës, që do të mbahet në Budapest më 12 dhe 13 qershor.
Ky takim merr një rëndësi të veçantë për shkak të pranisë së presidentes së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kirsty Coventry.
Besimi i dhënë ndaj Alitit, i cili është gjithashtu pjesë e komisionit koordinues për Lojërat Mesdhetare "Taranto 2026", dëshmon rritjen e autoritetit të Kosovës dhe profesionalizmit të kuadrove të saj në arenën më të lartë drejtuese të sportit botëror.
KosovaPress