Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar për herë të parë pas caktimit të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ai në një postim në Facebook shkruan se vendimi i gjykatës është një hakmarrje personale e kryeministrit Edi Rama.
Berisha thotë masa e sigurisë nuk do ndalojë të punojë me të gjitha mjetet dhe mënyrat për të rikthyer demokracinë në Shqipëri.
“Sali Berisha është dhe do të jetë ai që ka qenë gjithmonë. Me apo pa arrest shtëpie, me apo pa policë te dera, asgjë nuk do mund ta ndajë dot atë nga ju, jo vetëm demokratë, por edhe shqiptarë kudo që ata ndodhen. Sali Berisha do të vazhdojë të punojë dhe të luftojë çdo minutë, me të gjitha format dhe mjetet për të rikthyer demokracinë që aktualisht është e shpërfytyruar: Më shumë nga të gjithë që e kupton se litari i kalbur po i këputet është vetë Edi Rama”, ka shtuar Berisha.
“Çdo masë që merr ky pushtet ndaj meje dhe opozitës është e përkohshme. Ajo që mbetet e pamposhtur është mosdorëzimi ynë dhe vendosmëria jonë që izolimin e opozitës ta kthejmë në betejë lirie dhe fitore për shqiptarët. Ju ftoj të vazhdojmë me moton “O SOT O KURRË” betejën tonë pa kthim edhe më të fortë, të vendosur dhe më me pasion e guxim se kurrë më parë”, përfundon Berisha.