Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se vdekja e Astrit Deharit, është rasti më i rëndë i pasluftës në Kosovë. Kështu është përgjigjur ajo, kur u pyet nga deputeti i PDK-së, Hisen Berisha për zbardhjen e këtij rasti. Ministrja Haxhiu theksoi se ky rast është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale dhe vet ka kërkuar një inspektim për të gjitha rrethanat.
Në seancën e sotme plenare, Berisha tha se opinioni në Kosovë është ende i traumatizuar sa i përket sulmeve të institucioneve të Kosovës, të cilat kanë rezultuar me një epilog tragjik të një familje.
“Cila është rrjedha apo epologu i pritshëm procesit juridik për zbardhjen e rastit Dehari?”, ka pyetur Berisha.
Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk i pëlqeu ndërlidhja që u bë me sulmet ndaj institucioneve. Ajo tha se si ministre ka urdhëruar një inspektim.
Sipas Berishës këto janë detaje teknike dhe pret epilog përfunditar.
“Kam pritur që do të bëheni korrekt dhe të na thoni se pse ky rast nuk po merr epilog përfundimtar. E për mendimin tim për të na dhënë këtë përgjigje duhet të na tregoni se ku jemi në proces dhe cili është epilogu juridik përfundimtar i dy rasteve që kanë sjellur tek kjo pasojë për zbardhjen e secilës vrasje apo vetëvrasje. Së pari duhet të dihet se cili është vendimi gjyqësor për sulmin në objekte dhe rasti i dytë është se cili është vendimi juridik për rastin e vetëvrasjes së vëllait të Astritit, Arbënor Dehari”, ka vazhduar me pyetjet Berisha.
“Nuk ka rast më të rëndë në Kosovën e pasluftës se rasti Dehari. Ku një aktivist politik burgoset pa asnjë përgjegjësi dhe nuk del i gjallë nga burgu. Dhe ish-ministrja e partisë tënde as nuk e ka marrë mundin të paktën dorëheqje të jipte asaj kohe edhe përkundër kërkesave të shumta qytetare.
Ajo tha se për trajtimin e këtij rasti duhet të jetë një ekip i profilizuar, i cili heton secalën rrethanë. /Sh.Pajaziti