Kryedemokrati Sali Berisha, mbajti fjalën e tij në Foltoren e radhës, në podiumin e ngritur përpara godinës së Kryeministrisë.
Duke u ndalur te protesta e djeshme, Berisha tha se u zgjodhën jo fjalimet, por zëri, zemërimi, ndjenjat e qytetarëve për të nderuar një ditë të madhe.
Berisha tha se “pas 11 majit, farsës më të shëmtuar elektorale në historinë e pluralizmit, kanë kaluar 7 muaj”.
“Në Tiranë është instaluar një parlament. Ftoj qytetarët, ata 600 mijë shqiptarë, që edhe në kushte terrori, votuan për deputetët e opozitës, t’i shtrojnë pyetjen vetes, cili është roli i këtyre deputetëve në parlament. Ky rol është zero. Është zero. Është zero. Në parlament, sovrani ka votuar që këta të kërkojnë llogari qeverisë për qëndrimet e saj. Roli i parlamentit është zero, sepse me ligje dhe Kushtetutë, deputetët janë të detyruar të ngrenë komisione hetimore parlamentare për të paraqitur qytetarëve gabimet, fajet, vjedhjet e qeveritarëve”, tha Berisha, transmeton ATSH.
“Parlamenti është vendi ku deputetët paraqesin ligje, amendamente në emër të interesit të qytetarëve. Asnjë amendament, asnjë ligj i paraqitur nga opozita nuk paraqitet në parlament. Parlamenti përfaqëson pushtetin që buron nga vota e qytetarëve. Por, ky parlament përfaqëson vetëm kusarët dhe është përjashtuar opozita në çdo përfaqësim të tij”, pohoi Berisha.