Kushte më të mira për gjithë profesionistët shëndetësor, implementim të sigurimeve shëndetësore, digjitalizim në këtë sektor, e- receta, dhe ndaljen e ikjeve të mjekeve jashtë vendit përmes rritjes së pagave për të gjithë sektorin për 50 për qind, premton kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu me numër 109.
Haxhiu gjithashtu kritikon menaxhimin e deritanishëm të sektorit të shëndetësisë nga qeveria Kurti, duke e cilësuar si të pasuksesshëm dhe të paaftë për të adresuar nevojat e pacientëve dhe profesionistëve të shëndetësisë.
“Në programin e PDK-së për shëndetësi janë të adresuara problemet të cilat i ka shëndetësia jonë të cilat janë të shumta. Do të punojmë shumë që në dy vitet e para të qeverisë së Bedri Hamzës të implementohen sigurimet shëndetësore, dhe të jenë të shfrytëzueshme për qytetarët e vendit. Do të bëjmë digjitalizimin e sektorit të shëndetësisë, do të përmirësojmë kushtet për gjithë sektorin e shëndetësisë, dhe ata të cilët punojnë në sektorin e shëndetësisë, të cilët janë punëtorët teknik të administratës, të cilët janë degraduar me këtë qeverisje të Kurtit. Gjithashtu përveç digjitalizimit do të zgjedhën shumë probleme. Pacienti do të jetë në qendër dhe ai do ta ketë kartelën digjitale mjekësore, ku çdoherë mjeki do të ketë qasje në dosjen e pacientit dhe gjithashtu kartela mjekësore digjitale parasheh edhe e-receten. Kjo d.m.th që kur të përshkruhet terapia nga ana e mjekut, raporti tij do të jetë e-receta me barnat e përshkruara të cilat pastaj në mënyrë automatike gjenerohen në barnatore dhe pacienti do të ketë mundësinë që të merr barnat pa pasur nevojë që të nxjerr kuletën për t’i blerë ato. Parashohim që për barnat e listës esenciale të alokohet 150 milionë euro, të krijohet mbështetje për të gjithë, dhe të merren barna falas për të gjithë të sëmurit me kancer dhe sëmundje kronike”, thekson Haxhiu.
Derisa zotohet se do të jetë një zë i fuqishëm për të adresuar problemet që përballën qytetaret, thekson se një nga prioritetet më urgjente është ndalimi i largimit të profesionistëve shëndetësorë, që sipas tij, ka arritur nivele alarmante, me më shumë se 3 mijë e 600 specialistë që kanë braktisur vendin gjatë katër viteve të fundit.Në anën tjetër, ai derisa vazhdon të kritikojë Qeverinë Kurti për keqmenaxhim ndaj sektorit të shëndetësisë, thotë se listat e pritjes të pacienteve janë rritur, mungesa e barnave ka qenë evidente. Ndërsa shton se ndonëse kishte rritje të buxhetit, por kishte edhe abuzime në këtë sektor.
“Ajo që është evidente gjatë këtyre katër viteve, kemi pas keq menaxhim. Qeveria Kurti nuk arriti për të përmbushur asnjë nga premtimet të cilat i kishte të shkruara në programin qeverisës 2021/2025. Nuk kishte reformë, nuk kishte ligj për shëndetësi, nuk kishte sigurime shëndetësorë, problemet kanë shkuar duke u renduar. Listat e pritjes të pacienteve janë rritur, mungesa e barnave ka qenë evidente, ndonëse kishte rritje të buxhetit, por kishte edhe abuzime në këtë sektor dhe pacientet janë detyruar të blejnë vet barnat edhe ato që janë në listë esenciale...Mendoj që për këto keqpërdorime më shumë ka punë prokuroria sesa që kemi ne si deputet. Ne si deputet i kemi ngritur këto shqetësime”, përfundon Haxhiu.